Thursday, August 6, 2026
HomeLajmeKosovëIKD: Ndërprerja e seancës konstituive është cenim i Kushtetutës

IKD: Ndërprerja e seancës konstituive është cenim i Kushtetutës

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, duke vlerësuar se një veprim i tillë cenon rendin kushtetues dhe nuk mund të arsyetohet me mungesën e një marrëveshjeje politike.

Sipas IKD-së, deputetët kishin kohë të mjaftueshme për të zhvilluar negociata para mbajtjes së seancës, ndërsa konstituimi i Kuvendit nuk mund të kushtëzohet me bisedimet për çështje të tjera politike.

“Mungesa e një marrëveshjeje politike nuk mund të shndërrohet në arsye për bllokimin e Kuvendit dhe cenimin e rendit kushtetues”, thuhet në reagim.

IKD thekson se kërkesa për shtyrje të seancës dhe ndërprerja e saj nuk mbështeten në natyrën e seancës konstituive, duke rikujtuar se Rregullorja e Kuvendit nuk parasheh debat gjatë kësaj procedure.

“Negociatat politike mund dhe duhet të zhvillohen jashtë seancës, pa e marrë peng institucionin më të lartë përfaqësues të Republikës”, thuhet në reagim.

Instituti rikujton se Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar detyrimin që Kuvendi të konstituohet brenda afatit prej 30 ditësh, duke theksuar se mungesa e një sanksioni të shprehur nuk e bën të ligjshme shkeljen e Kushtetutës.

“Kushtetuta nuk zbatohet vetëm kur parashikon ndëshkim, ajo duhet të respektohet sepse është akti më i lartë juridik i Republikës”, thekson IDK.

Në fund, IKD ka kërkuar vazhdimin e menjëhershëm të seancës dhe përfundimin e procesit të konstituimit brenda afatit kushtetues.

“Deputetët nuk janë betuar sot për t’i shërbyer kalkulimeve partiake, por për ta respektuar Kushtetutën dhe ligjin”, përfundon reagimi i IKD-së.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram