Friday, August 7, 2026
HomeEkonomiAUV inspekton 10 kompani dhe largon produktet e qumështit nga tregu

AUV inspekton 10 kompani dhe largon produktet e qumështit nga tregu

Pas publikimit të rezultateve të analizave laboratorike, institucionet kanë nisur kontrollet në terren për verifikimin dhe largimin nga tregu të produkteve për të cilat janë evidentuar mospërputhje.

Ndërkohë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka kryer deri tash inspektime në 10 kompani prodhuese të qumështit.

Kontrollet kanë përfshirë verifikimin e produkteve për të cilat analizat laboratorike kanë evidentuar përdorim të përbërësve të padeklaruar, përfshirë tejkalim të përmbajtjes së vajit të palmës dhe qumështit pluhur, si dhe vlerësimin e përputhshmërisë së deklarimeve të vendosura në etiketat e produkteve.

Nga kontrollet e para janë evidentuar raste të tërheqjes së produkteve, por jo tërheqje masive dhe as të një produkti specifik, ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila.

“Dje inspektorët tanë nga IQMT, në bashkëpunim me inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë qenë në terren, në përputhje me gjetjet për përdorimin e përmbajtjes së tejkaluar të vajit të palmës dhe qumështit pluhur. Nga inspektimet kanë bërë vlerësimin e konformitetit të deklaratave të paraqitura në produktet specifike dhe rezultateve të dala nga AUV. Sipas vlerësimeve, ka pasur në situata të caktuara tërheqje, por jo në masë dhe jo për një produkt specifik”, ka thënë ajo.

Procesi i inspektimeve, sipas saj, do të vazhdojë edhe në javët në vijim, ndërsa priten edhe rezultate të tjera nga analizat shtesë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Kusari-Lila u ka bërë thirrje kompanive prodhuese vendore që të mos vendosin interesin për rritjen e fitimit mbi cilësinë dhe sigurinë e produkteve.

“U bëj apel të gjitha kompanive prodhuese kosovare që të mos udhëhiqen nga ndjenja e fitimit më të madh sesa zakonisht arrihet dhe të kontribuojnë në kredibilitetin e prodhimit vendor. Praktikat e tilla jo vetëm që sjellin pasoja ligjore, por dëmtojnë afatgjatë edhe besimin ndaj kompanisë dhe produkteve kosovare”, shtoi ajo.

Kontrollet pasojnë prezantimin e rezultateve të analizave laboratorike për produktet e qumështit, ku sipas AUV-it në disa raste është konstatuar përdorimi i vajit të palmës dhe qumështit pluhur, ndërsa shqetësim kryesor mbetet mosdeklarimi i këtyre përbërësve në etiketat e produkteve.

Përballë këtyre gjetjeve, operatorët e sektorit të qumështit dhe përfaqësues të industrisë kanë kërkuar publikimin e plotë të rezultateve laboratorike.

Ata kanë vlerësuar se vetëm transparenca e plotë për secilin rast mund të sqarojë përgjegjësinë e operatorëve dhe të shmangë krijimin e një perceptimi negativ për të gjithë sektorin e prodhimit vendor.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram