Qarkullimi në shumicën e pikave kufitare të Kosovës vijon pa pritje të gjata, ndërsa vonesat më të theksuara janë regjistruar në dalje te Dheu i Bardhë dhe Merdara, sipas të dhënave të fundit të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se mëngjesin e së premtes fluksi i qarkullimit në shumicën e pikave të kalimit kufitar në Kosovë është i qetë, me pritje të shkurtra prej 3 deri në 5 minutash.
Sipas të dhënave të përditësuara në orën 08:06, pritjet më të gjata janë regjistruar në dalje te pika kufitare Dheu i Bardhë, ku qytetarët po presin deri në 60 minuta, ndërsa kolona arrin në rreth 450 metra.
Pritje më të larta janë evidentuar edhe në dalje te Merdara, ku pritja është deri në 40 minuta, me kolonë prej 300 metrash.
Ndërkohë, në Han të Elezit pritjet janë rreth 10 minuta si në hyrje ashtu edhe në dalje, me kolona prej rreth 50 metrash në të dy drejtimet.
Në pikat e tjera kufitare, përfshirë Bërnjakun, Jarinjën, Kullën, Vërmicën dhe Qafën e Morinës, qarkullimi zhvillohet pa pritje të konsiderueshme, ndërsa edhe për automjetet e rënda nuk raportohen kolona apo vonesa.

