atsh
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja reagoi në mesnatë lidhur me situatën e krijuar si pasojë e zjarrit në Malin e Krujës.
Gonxhja thekson në reagimin në rrjetet sociale se “nga situata e zjarrit në Krujë, vatra aktualisht ndodhet në zonën malore mbi qytet dhe larg zonës së Pazarit të Vjetër e Kalasë, por pozicionimi i vatrës përballë tyre dhe era kërkojnë gatishmëri të shtuar gjatë gjithë natës”.
Ministri falenderon forcat e Emergjencave Civile, Ushtrisë, Policisë, Bashkisë Krujë, Ndihmës së Shpejtë dhe të gjithë trupave të Zjarrfikëseve në këtë operacion që vijon papushim.
“Shqetësimi kryesor lidhet me shkëndijat dhe copëzat e djegura që mund të fluturojnë nga era drejt zonës së banuar, ndërsa Pazari i Vjetër, për shkak të elementeve të shumta prej druri, është veçanërisht i ekspozuar, ndaj kërkohet vigjilencë. Terreni është shumë i pjerrët dhe tepër i vështirë për ndërhyrje me forca njerëzore, ndaj shuarja e vatrës në këtë pozicion kërkon ndërhyrje nga ajri, çka pengohet nga nata”, shprehet ai.
Ministri shton se paralelisht, DRTK Tiranë dhe Qendra Muzeore Krujë vijojnë monitorim dhe gatishmërinë e vazhdueshme pranë Pazarit të Vjetër dhe Kalasë, edhe gjatë natës dhe pas ndërprerjes së energjisë elektrike.
“Një Task Force e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit po aktivizohet për çdo plan, skenar dhe protokoll teknik evakuimi”, deklaron Gonxhja.

