Sunday, August 9, 2026
HomeLajmeKosovëInspektorati shqipton rreth 20 gjoba për ndotje të ambientit në Ferizaj

Inspektorati shqipton rreth 20 gjoba për ndotje të ambientit në Ferizaj

Rreth 20 qytetarë të Komunës së Ferizajt janë gjobitur nga Inspektorati Komunal për shkak të ndotjes së ambientit, duke hedhur mbeturina jashtë orarit të përcaktuar dhe në vende të paautorizuara. Në Inspektoratin Komunal theksuan se, falë bashkëpunimit me qytetarët, të cilët po i raportojnë rastet, po shqiptohen gjoba me qëllim të ruajtjes së ambientit

“Inspektorati i Mbrojtjes së Mjedisit ka filluar një aksion për të ndëshkuar ndotësit e ambientit, të cilët nuk e respektojnë orarin e hedhjes së mbeturinave shtëpiake, por edhe atyre inerte, të cilat i hedhin në vende të paautorizuara. Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar rreth 20 gjoba, falë bashkëpunimit të qytetarëve, raportimit të qytetarëve, bashkëpunimit me Policinë e Kosovës për identifikimin e tyre. Ne kemi parë që është rritur vetëdijesimi te qytetarët, po ashtu edhe bashkëpunimi me qytetarët është bukur i kënaqshëm, për arsye se kanë vërejtur se Inspektorati po merr masa dhe nuk po hezitojnë të bashkëpunojnë”, deklaron Feriz Hyseni – udhëheqës i sektorit për inspektime.

Shoqëria civile thotë se raportimi i rasteve me qëllim të ruajtjes së ambientit është një hap i mirë dhe se është dashur të ekzistojë edhe më herët.

“Është një hap i mirë ky drejt bashkëpunimit të institucioneve dhe qytetarëve. Për shkak se qytetarët dalëngadalë po vetëdijesohen se duhet mbrojtur ambienti dhe duhet të ndëshkohen ata që e ndotin ambientin. Kështu që, për ne si shoqëri civile, është një hap shumë i mirë. Besoj që do të vazhdojë ky bashkëpunim edhe më tej, në mënyrë që të ruhet sa më shumë ambienti, të ruhet natyra dhe ta mbajmë vendin ku jetojmë pastër”, thotë Flamur Sallahu – Organizata për Mbrojtjen e Ambientit “Kaça”.

Nga Inspektorati u apelua që qytetarët hedhjen e mbeturinave ta bëjnë në orarin e caktuar dhe për mbetjet inerte të kontaktojnë kompanitë përgjegjëse për largimin e tyre. 

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram