Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në Kuvend bashkatdhetarë nga diaspora, në kuadër të vizitave që organizohen çdo vit për mërgatën.
Haxhiu ka thënë se hapja e dyerve të Kuvendit për bashkatdhetarët synon forcimin e lidhjes së tyre me institucionet e Kosovës dhe me vendin e origjinës.
“Sot patëm kënaqësinë t’i mirëpresim bashkatdhetarët tanë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka bërë me dije se gjatë vizitës, bashkatdhetarët kanë pasur mundësi të shohin nga afër hapësirat e Kuvendit, ndërsa kanë takuar edhe deputetë të Legjislaturës së XI, me të cilët kanë bashkëbiseduar për Kosovën, kontributin e mërgatës dhe lidhjen e tyre me vendin.
“Bashkatdhetarët tanë e mbajnë Kosovën me vete kudo që janë. Ata janë pjesë e historisë, zhvillimit dhe së ardhmes sonë”, ka pohuar Haxhiu.
Sipas saj, Kosova duhet të mbetet gjithmonë e hapur për mërgatën.
“Sepse mërgata nuk është larg Kosovës, mërgata është pjesë e pandashme e saj”, ka shkruar ajo.
Vizitat e bashkatdhetarëve në Kuvend do të vazhdojnë edhe më 11 dhe 12 gusht.
“Kuvendi ju mirëpret”, ka përfunduar Haxhiu.

