Shqipëria ka reaguar zyrtarisht pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka reaguar pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Hoxha ka shprehur “shqetësim të thellë” për mundësinë e përfshirjes së ekspertëve dhe institucioneve serbe në shqyrtimin e një projekti të tillë.
Sipas tij, ndryshimi i rrjedhës së një lumi që është pjesë e një sistemi ujor ndërkufitar nuk mund të konsiderohet çështje e brendshme e një shteti dhe as të vendoset në mënyrë të njëanshme.
“Ndryshimi i rrjedhës së një lumi që përbën pjesë të një sistemi ujor ndërkufitar nuk është një çështje thjesht e brendshme apo një vendim që mund të merret në mënyrë të njëanshme”, ka shkruar Hoxha.
Ai ka theksuar se pasojat e një veprimi të tillë mund të prekin drejtpërdrejt territorin, mjedisin, sigurinë ujore dhe furnizimin me ujë të Kosovës.
Hoxha iu referua edhe detyrimeve që burojnë nga e drejta ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare, duke përmendur përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të burimeve ujore, parandalimin e dëmeve ndërkufitare dhe detyrimin për bashkëpunim e konsultim.
“Shqipëria pret që Serbia të respektojë plotësisht detyrimet e saj ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë”, deklaroi ai.
Sipas Hoxhës, çdo projekt që mund të ndikojë në rrjedhën, sasinë apo cilësinë e ujërave që prekin Kosovën duhet të zhvillohet në mënyrë transparente dhe mbi bazën e të dhënave shkencore.
“Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër”, ka theksuar Hoxha.
Ai ka shprehur mbështetjen e Shqipërisë për të drejtën e Kosovës për siguri, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e burimeve ujore.
Në fund, Hoxha ka bërë thirrje që çështje të tilla të trajtohen përmes “dialogut, bashkëpunimit dhe standardeve evropiane”, dhe jo përmes kërcënimeve apo veprimeve të njëanshme.

