Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Serbia vazhdon të paraqesë kërcënim jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin e Ballkanit.
Konjufca i bëri këto deklarata në edicionin e nëntë të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, që po mbahet në Prishtinë, me temën “Kosova në një botë në ndryshim: Siguri, Partneritet dhe Zhvillim”.
Në fjalimin e tij, Konjufca tha se në rrethanat e luftërave dhe konflikteve në botë, Kosova ka qëndruar e palëkundur në mbështetje të aleancës perëndimore dhe të Ukrainës përballë agresionit rus.
“Rrethanat e trazuara globale të viteve të fundit kanë dëshmuar se Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur ka qëndruar e palëkundur në mbështetjen e aleancës perëndimore për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës kundrejt agresionit të Rusisë dhe i ka mbështetur të gjitha masat sanksionuese që aleanca perëndimore i ka vendosur Federatës Ruse”, tha ai.
Duke folur për zhvillimet në Lindjen e Mesme, Konjufca tha se Kosova qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Po ashtu Republika e Kosovës qëndron përkrah aleatit tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjen e tyre për të ndërtuar paqen në Lindjen e Mesme”, tha Konjufca.
Ai përmendi edhe anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.
“Anëtarësimi në Bordin e paqes të themeluar nga Presidenti Trump dhe dërgimi i ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza, në kuadër të trupës paqeruajtëse, janë dëshmi e orientimit dhe e lojalitetit tonë ndaj këtij partneriteti që e kemi”, deklaroi ai.
Konjufca tha se Qeveria e Kosovës ka dënuar përpjekjet e Iranit për të cenuar stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe ka mbështetur qëndrimin amerikan se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore.
Në fokus të fjalimit ishte edhe Serbia dhe raportet e saj me Rusinë e Kinën.
“Pavarësisht orientimit të shumicës së shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimeve euroatlantike, të pasurit në kufi të një fqinji siç është Serbia, e cila vazhdon të mbajë raporte të ngushta me Rusinë, paraqet kërcënim jo vetëm për Kosovën, por për krejt Ballkanin”, tha Konjufca.
Sipas tij, Serbia nuk mbështet sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë dhe ka intensifikuar bashkëpunimin ushtarak me Kinën.
“Ky orientim i Serbisë është më shumë sesa një pozicion i dygjuhësuar në arenën ndërkombëtare. Retorika e pandryshuar agresore e politikës zyrtare serbe kundrejt Republikës së Kosovës dëshmon se Serbia është burim kërcënimi dhe destabiliteti për paqen rajonale dhe evropiane”, theksoi ministri në detyrë.
Konjufca iu referua edhe deklaratës së ministres serbe për spastrimin etnik të Kosovës, duke thënë se një deklaratë e tillë duhet të merret seriozisht edhe nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.
“Deklarata e ministres serbe se po të ishte në vend të Millosheviçit do ta spastronte etnikisht Kosovën, është një deklaratë që duhet ta marrim seriozisht jo vetëm si shtet i Kosovës, por duhet të merret po aq me vëmendje dhe me seriozitet edhe nga aleatët tanë ndërkombëtarë që kanë investuar dhe investojnë në sigurinë dhe në paqen e rajonit tonë”, deklaroi ai.
Duke folur për punën e Ministrisë së Punëve të Jashtme gjatë gjashtë muajve të fundit, Konjufca tha se është intensifikuar angazhimi ndërkombëtar i Kosovës përmes takimeve bilaterale, konsultimeve politike, vizitave zyrtare dhe forumeve ndërkombëtare.
“Këto aktivitete nuk janë vetëm një numër. Pas çdo takimi qëndron një interes i Kosovës, pas çdo konsultimi një objekt diplomatik, ndërsa pas çdo marrëveshjeje edhe një mundësi e re për qytetarët tanë”, tha ai.
Konjufca tha se Kosova ka forcuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Austrinë, Belgjikën, Finlandën, Irlandën, Turqinë dhe shtetet nordike.
Sipas tij, një rezultat i rëndësishëm i angazhimit diplomatik është nënshkrimi dhe avancimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në fusha të ndryshme, përfshirë sigurinë, ekonominë, arsimin, kulturën dhe lehtësimin e vizave.
Ministri në detyrë tha se vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Qasja jonë është e qartë: aty ku nuk ka ende njohje, duhet të ketë komunikim të shtuar; aty ku ka komunikim, duhet të ndërtohet besimi më tutje; ndërsa aty ku ndërtohet besimi, krijohen hapësira për rezultate të reja diplomatike”, tha Konjufca.
Ai përmendi edhe zgjerimin e pranisë diplomatike të Kosovës, duke veçuar hapjen e konsullatës së përgjithshme në Houston të SHBA-së dhe formalizimin e konsullatës së nderit në Kobe të Japonisë.
Sa i përket rajonit, Konjufca tha se Kosova ka vazhduar bashkëpunimin me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Kroacinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, si dhe angazhimin në procesin e Berlinit dhe mekanizmat e tjerë rajonalë.
Ai e cilësoi integrimin euroatlantik si një nga objektivat kryesore të politikës së jashtme të Kosovës.
“Kemi intensifikuar angazhimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës përmes një diplomacie të drejtpërdrejtë dhe të strukturuar me shtetet anëtare, grupet politike dhe institucionet e kësaj me të. Në Strasburg, në Bruksel dhe në kryeqytetet evropiane kemi përcjellë mesazhin e qartë: Kosova i ka përmbushur kriteret dhe meriton të jetë pjesë e familjes evropiane”, tha ai.
Konjufca shtoi se Kosova ka avancuar bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe partnerët evropianë, ndërsa marrja e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE mbetet prioriteti më i lartë.
Konjufca theksoi edhe rëndësinë e diplomacisë ekonomike, duke thënë se Kosova ka promovuar potencialet e saj për investime, tregti, turizëm, energji dhe sektorë të tjerë strategjikë.
“Diplomacia jonë është edhe diplomaci ekonomike. Përmes forumeve, panairëve, sesioneve informuese dhe takimeve B2B në Itali, në Gjermani, Zvicër, Suedi, Holandë, Kanada, Portugali dhe vende të tjera, i kemi promovuar potencialet e Kosovës për investime, tregti, turizëm, energji dhe sektorë strategjikë të ekonomisë. Kemi lidhur bizneset e Kosovës me tregjet ndërkombëtare dhe kemi krijuar ura të reja ndërmjet ekonomisë sonë dhe kapitalit të mërgatës”, deklaroi Konjufca.
Konjufca: Mërgata është pjesë e fuqisë sonë kombëtare, ekonomike, kulturore dhe diplomatike
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova ka investuar në fuqizimin e diplomacisë publike, duke e cilësuar mërgatën si një nga shtyllat e rëndësishme të politikës së jashtme të vendit.
Në fjalimin e tij në edicionin e nëntë të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, Konjufca tha se përmes aktiviteteve kulturore, artistike, sportive dhe edukative, Kosova ka synuar të promovojë identitetin, kulturën dhe potencialin e saj në botë.
“Përmes artit, kulturës, filmit, muzikës, letërsisë dhe trashëgimisë sonë kemi treguar një Kosovë që nuk do vetëm të njihet si shtet, por të njihet për atë çfarë është si vend me kulturë, talentet e ndryshme të rinisë sonë, histori, kreativitet dhe potencial”, tha Konjufca.
Ai theksoi rëndësinë e mërgatës, duke e cilësuar atë jo vetëm si lidhje me atdheun, por edhe si pjesë të fuqisë kombëtare, ekonomike, kulturore dhe diplomatike të Kosovës.
“Dhe në zemër të kësaj qasje është mërgata jonë. Mërgata nuk është vetëm një lidhje emocionale me atdheun, ajo është pjesë e fuqisë sonë kombëtare, ekonomike, kulturore dhe diplomatike”, deklaroi ai.
Konjufca bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë hapur paralele të reja të mësimit plotësues në Gjermani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Itali dhe Zvicër.
“Kemi shpërndarë rreth 7,000 tekste mësimore nëpër këto shkolla dhe kemi organizuar seminare dhe trajnime për mësuesit e kemi mbështetur aktivitete që synojnë ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe të identitetit tonë”, tha ministri në detyrë.
Sipas tij, ruajtja e gjuhës dhe identitetit te gjeneratat e reja të mërgatës është pjesë e rëndësishme e politikave të Kosovës.
“Kjo është mënyra se si ndërtohet e ardhmja, duke u siguruar se fëmijët tanë kudo që jetojnë ata e që i përkasin kombit tonë ta dinë gjuhën e prindërve të tyre, ta njohin historinë dhe ta ndjejnë Kosovën si pjesë të pandashme të identitetit të tyre”, tha Konjufca.
Duke folur për prioritetet e periudhës së ardhshme, Konjufca tha se Kosova do të vazhdojë avancimin e diplomacisë bilaterale dhe multilaterale, me fokus në zgjerimin e mbështetjes ndërkombëtare dhe proceset integruese.
“Do të punojmë për zgjerimin e mbështetjes ndërkombëtare, avancimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës, forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë, si dhe thellimin e bashkëpunimit me shtetet e rajonit, sidomos me vendet që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës”, deklaroi ai.
Konjufca tha se synimi është që Kosova të ketë rol më të madh në proceset ndërkombëtare.
“Qëllimi ynë është që Kosova të mos jetë vetëm pjesë në tryezat ndërkombëtare, por të jetë me ndikim në proceset që përcaktojnë të ardhmen e rajonit dhe të Evropës”, tha ai.
Ai paralajmëroi se diplomacia ekonomike, publike dhe e mërgatës do të vazhdojnë të jenë shtylla të rëndësishme të politikës së jashtme.
Sipas tij, ambasadat dhe konsullatat e Kosovës duhet të shërbejnë jo vetëm si përfaqësi diplomatike, por edhe si ura lidhëse për investime, bashkëpunim ekonomik, kulturor dhe akademik.
“Duam që çdo ambasadë e konsullatë e Kosovës të jetë jo vetëm përfaqësi diplomatike, por edhe pikë lidhëse për investime, bashkëpunim ekonomik, kulturor dhe akademik, si dhe urë e fuqishme mes Republikës së Kosovës dhe qytetarëve tanë të cilët jetojnë jashtë vendit”, deklaroi Konjufca.
Konjufca tha se një tjetër prioritet është forcimi i bazës ligjore dhe institucionale të politikës së jashtme.
Ai bëri të ditur se në agjendën legjislative është edhe Ligji për Shërbimin e Jashtëm.
“Ky ligj synon të krijojë një bazë më moderne, më funksionale për shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, duke forcuar profesionalizmin, përgjegjësinë dhe standardet e shërbimit diplomatik”, tha ministri në detyrë.
Në përmbyllje të fjalimit, Konjufca tha se, sipas tij, Qeveria ka dëshmuar se Kosova ka një diplomaci aktive dhe të orientuar drejt rezultateve.
“Kemi forcuar aleancat, kemi zgjeruar partneritetet, kemi avancuar marrëveshjet e reja, kemi rritur praninë diplomatike, e kemi promovuar ekonominë dhe kulturën tonë, i kemi fuqizuar mërgatën dhe kemi intensifikuar përpjekjet për integrimin tonë euroatlantik”, tha ai.
Konjufca theksoi se objektiv është një Kosovë me subjektivitet ndërkombëtar më të fuqishëm, më shumë aleatë, njohje dhe integrim.
“Sepse diplomacia nuk matet vetëm me numrin e takimeve që zhvillohen, ajo matet me dyert që hapen, me partneritetet që ndërtohen, me mundësitë që krijohen dhe me vendin që Kosova e zë në botë. Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë që ajo hapësirë të jetë gjithnjë e më e madhe. Më e fortë në aleanca, më e fuqishme në diplomaci, më e integruar në Evropë, më e pranishme në botë”, deklaroi ai.
Në fund, Konjufca falënderoi ambasadorët, diplomatët, shefat e misioneve dhe të gjithë përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme për angazhimin e tyre.
“Prandaj dua t’ju falënderoj secilin prej jush sinqerisht për angazhimin, profesionalizmin dhe përfaqësimin që i keni bërë Republikës së Kosovës në vendet ku shërbeni. Çdo takimi, çdo iniciativë, çdo kontakt dhe çdo derë që e keni hapur ka qenë pjesë e përpjekjes së përbashkët për ta forcuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës”, tha Konjufca.

