Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve lidhur me rastin e vrasjes në tentativë dhe pjesëmarrjes në rrahje në këtë qytet.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar tre persona të dyshuar me inicialet H.D., A.D. dhe E.G., në kohëzgjatje prej 48 orësh, si dhe një (1) i mitur është ndaluar në kohëzgjatje prej 24 orësh.
“Lidhur me këtë rast është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe është parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre (3) të pandehurve me inicialet H.D., A.D. dhe E.G.. Ndaj të pandehurit me inicialet H.D. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së, ndërsa ndaj të pandehurve me inicialet A.D. dhe E.G. për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187 par.2 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Ndërsa i mituri i përfshirë në rast është ndaluar për 24 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.
Dje një person është plagosur me armë zjarri nga ky rast i cili si pasojë e një mos marrëveshje, përfundoi në rrahje.

