Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim senatoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtetin e Ajovës, Joni K. Ernst.
Ernst ishte e shoqëruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati, si dhe nga adjutanti i përgjithshëm i Ajovës, gjeneralmajor Stephen Osborn.
Gjatë takimit, gjenerallejtënant Jashari e falënderoi senatoren Ernst për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj Republikës së Kosovës dhe FSK-së.
“Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale dhe të ardhmen e FSK-së, prioritetet e saj, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu, u shkëmbyen qëndrime lidhur me zhvillimet aktuale të sigurisë dhe sfidat e përbashkëta”, thuhet në njoftim.
Në përfundim të takimit, gjenerallejtënant Jashari shprehu mirënjohjen e tij për senatoren Ernst, duke vlerësuar kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
Ai theksoi rëndësinë e vazhdimit dhe thellimit të partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

