Thursday, August 13, 2026
HomeLajmeKosovëAVONET dhe 13 OJQ kërkojnë sqarim nga Kushtetuesja për Kuvendin

AVONET dhe 13 OJQ kërkojnë sqarim nga Kushtetuesja për Kuvendin

AVONET dhe 13 organizata të tjera të shoqërisë civile i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me kërkesë për të vlerësuar zbatimin e Aktgjykimit KO124/25, lidhur me afatin për konstituimin e Kuvendit.

Në deklaratën për media, AVONET thotë se kërkesa është dorëzuar pas zhvillimeve të fundit në procesin e konstituimit të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit 2026.

Sipas organizatave, afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht, ndërsa seanca konstituive e 6 gushtit nuk ka përfunduar me zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit.

“Mbajtja e një seance që nuk përfundon me zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit nuk nënkupton se Kuvendi është konstituuar”, thuhet në deklaratë, duke iu referuar Aktgjykimit KO124/25 të Gjykatës Kushtetuese.

AVONET thekson se vazhdimi i seancës ishte caktuar për 8 gusht, pra pas përfundimit të afatit 30-ditor.

Për këtë arsye, organizatat kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të vlerësojë nëse Aktgjykimi KO124/25 është zbatuar në përputhje me përcaktimet e tij dhe brenda afatit të përcaktuar.

Kërkesa është bazuar në Rregullin 60 të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton procedurën në rastet e pretendimeve për moszbatim të një vendimi të Gjykatës.

Në rast se konstatohet moszbatim, AVONET dhe organizatat nënshkruese kërkojnë që Gjykata të ndërmarrë veprimet e parapara me rregullore, përfshirë nxjerrjen e aktvendimit për moszbatim apo mospërmbarim dhe hapat e tjerë që i konsideron të nevojshëm.

Sipas AVONET-it, çështja ka rëndësi të veçantë për funksionimin e institucioneve të zgjedhura dhe respektimin e rendit kushtetues.

“Qëllimi është të sigurohet qartësi juridike dhe institucionale lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në deklaratë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram