Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka vazhduar edhe sot aksionin e inspektimeve në treg, me fokus të veçantë te produktet e qumështit dhe zbatimin e masave për mbrojtjen e konsumatorëve.
Përmes 8 ekipeve të inspektorëve, IQMT ka realizuar kontrolle në marketet e mëdha në regjionet e Mitrovicës, Prizrenit, Pejës, Prishtinës, Lipjanit dhe Shtimes.
Gjatë kontrolleve janë evidentuar 7 produkte me mospërputhje, të përcaktuara në raportet zyrtare të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), të cilat janë gjetur në raftet e operatorëve ekonomikë të inspektuar:
Holla Barista 3.8%, 1 litër;
Crem për pite Bylmeti;
Holla Cooking Crem, 1 litër;
Qumësht My Cow 3.2%, 1 litër;
Mazë tradicionale Drena;
Mazë tradicionale Milket;
Krem për pite Bianco, 700 g.
“Duke u bazuar në raportet zyrtare të AUV-së, nr. 4942, datë 27.07.2026, dhe nr. 5203, datë 10.08.2026, nga tregu gjatë ditës së sotme janë tërhequr 5,278 njësi të produkteve të lartcekura”, njofton MINTI.
Gjithashtu, janë urdhëruar qendrat e operatorëve ekonomikë që kanë rrjete marketesh në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës që të largojnë nga shitja produktet e evidentuara në raportet e AUV-së.
IQMT do të vazhdojë monitorimin dhe inspektimin e tregut, ndërsa të gjitha produktet e qumështit për të cilat është evidentuar mospërputhje do të mbeten pjesë e listës së produkteve për tërheqje nga tregu. Lista do të publikohet dhe përditësohet çdo ditë për informimin e konsumatorëve, deri në përditësimin, plotësimin apo ndryshimin e raporteve zyrtare nga ana e AUV-së.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, mbetet e hapur për çdo ankesë apo raportim nga qytetarët që hasin në treg produkte të ndaluara për shitje nga AUV-së. Ankesat, së bashku me dëshmitë përkatëse, mund të dorëzohen përmes platformës Viber në numrin +383 (0) 46 311-000”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.
MINTI dhe institucionet përgjegjëse do të vazhdojnë me inspektimet dhe masat e nevojshme, me qëllim të garantimit të sigurisë së konsumatorëve dhe respektimit të rregullave të tregtimit në Republikën e Kosovës.

