ATSH/ Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT) ka njoftuar mbrëmjen e sotme se për shkak të situatës së zjarreve në zonën e Priskës dhe Farkës, Stacioni i Pompimit në Priskë është fikur pas ndërprerjes së energjisë elektrike.
UKT bën me dije se do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë në zonën e Lundrës.
“Për shkak të situatës së zjarreve në zonën e Priskës dhe të Farkës, Stacioni i Pompit në Priskë është fikur pasi ka ndërprerje të energjisë elektrike. Për rrjedhojë në zonën e Lundrës do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë. UKT do dalë më një njoftim të dytë me rikthimin e situatës normale”, thuhet në njoftimin zyrtar nga UKT.
Më herët, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se në Dajt vijon puna me 22 forca të MZSH-së dhe ADZM-së, të mbështetura nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore, ndërsa në Priskë e Madhe po operojnë 15 efektivë me 4 automjete zjarrfikëse dhe mbështetje nga 2 helikopterë. Në të dyja zonat nuk ka rrezik për zonat e banuara.

