Thursday, August 13, 2026
HomeLajmeKosovëDeputetët e PDK-së para Qeverisë, kërkojnë thirrjen e seancës konstituive

Deputetët e PDK-së para Qeverisë, kërkojnë thirrjen e seancës konstituive

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë qëndruar para hyrjes së ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që të thirret seanca konstituive e Kuvendit. Ata kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë veprimet e tyre dhe, sikurse një ditë më parë, do të jenë të pranishëm edhe në Kuvendin e Kosovës.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar se qëndrimi i deputetëve të kësaj partie para objektit të Qeverisë nuk ka për qëllim ndonjë puç, por, sipas saj, rikthimin e funksionimit kushtetues të institucioneve.

Çitaku tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duhet të jetë në Kuvend dhe të angazhohet për konstituimin e tij dhe formimin e institucioneve të reja.

“Ne këtu jemi me një qëllim të vetëm: të kërkojmë rivendosjen e ligjit, Kushtetutës dhe demokracisë në vend”, deklaroi Çitaku para mediave.

Ajo tha se Kurti po qëndron në objektin e Qeverisë pa mbikëqyrje parlamentare, duke e cilësuar këtë situatë si uzurpim të institucioneve.

“Këto zyra janë të uzurpuara nga një deputet. Dhe po aq sa ka të drejtë ai të jetë aty, po aq kemi të drejtë edhe ne”, tha Çitaku.

Duke iu referuar qëndrimit të deputetëve të PDK-së para Qeverisë, ajo theksoi se qëllimi nuk është marrja e institucioneve me forcë.

“Nuk jemi ne këtu me bërë puç! Ne jemi këtu me i thënë Albin Kurtit: Eja në Kuvend, shumicën e ke, ndërroje qeverinë dhe ecim tutje”, u shpreh ajo.

Çitaku ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi vendimet që, sipas saj, janë marrë nga Qeveria pa mbikëqyrje parlamentare.

“Kush janë ata që marrin vendime, me çfarë mandati, këtu në ndërtesë të Qeverisë?”, pyeti ajo.

Ajo bëri të ditur se PDK-ja do të rikthehet në Kuvend për të përsëritur kërkesën për thirrjen e një seance dhe për të ndërmarrë aktivitete të tjera, të cilat tha se do t’i bëjnë publike.

“Jemi këtu me ia kujtuar detyrën. Nuk kemi me u ndalur”, përfundoi Çitaku.

Edhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kritikuar situatën politike në Kosovë, duke e akuzuar Qeverinë në detyrë për tejkalim të kompetencave dhe shkelje të Kushtetutës.

Hoxhaj tha se pas tri palë zgjedhjeve nacionale, vendi ndodhet ende pa institucione të konsoliduara, ndërsa sipas tij, Qeveria dhe ministrat kanë qëndruar për një periudhë të pazakontë në detyrë.

“Ky zotëri nuk është kryeministër, është një deputet zaptues, një deputet uzurpator i cili e ka uzurpuar zyrën e Kryeministrit”, deklaroi Hoxhaj, duke iu referuar Albin Kurtit.

Ai theksoi se edhe nga përvoja e tij si ministër, pas certifikimit si deputet kishte lënë detyrën ministrore dhe kishte vazhduar vetëm si deputet i Kuvendit.

PDK-ja thekson se përsëri do t’i drejtojë kërkesë Avni Deharit për mbajtjen e seancës konstituive pas 48 orëve dhe aktivitetin e saj PDK do ta zhvendosë edhe jashtë Kuvendit në forma më të gjëra të mobilizimit politik, demokratik dhe qytetar.

PDK para hyrjes së Qeverisë, kërkon rikthimin e rendit kushtetues

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) janë hyrjen e objektit të Qeverisë së Kosovës, në kuadër të aksionit të tyre politik kundër situatës aktuale institucionale.

Deputetët janë mbledhur para ndërtesës së Qeverisë, duke deklaruar se veprimi është pjesë e masave që, sipas tyre, synojnë rikthimin e rendit kushtetues.

“Republikë – Kushtetutë!”, kanë shkruar ata, duke theksuar se nuk do të ndalen deri në, siç shprehen, “rikthimin e rendit kushtetues dhe fitoren e Republikës”.

Veprimi vjen në kuadër të përplasjeve të fundit politike dhe kërkesave të PDK-së lidhur me funksionimin e institucioneve të vendit.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram