Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale në Prizren, ka arrestuar në flagrancë një person të dyshuar për veprat penale “Shantazhi” dhe “Ngacmimi”.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri S.Q. dyshohet se, nga qershori i vitit 2025 deri më 13 gusht 2026, në Prizren dhe përmes rrjeteve sociale, ka kanosur dhe shantazhuar një grua me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore.
Dyshohet se përmes mesazheve në aplikacionin WhatsApp, S.Q. ka ushtruar presion ndaj të dëmtuarës, duke e kërcënuar se do t’i publikonte dhe do t’ua dërgonte familjarëve materiale që, sipas pretendimeve të tij, do t’i cenonin nderin dhe autoritetin.
“Në këtë mënyrë, i njëjti ka kërkuar dhe ka arritur të sigurojë mjete financiare, në shumën deri në 50 mijë euro, të cilat e dëmtuara dyshohet se i ka siguruar, ndër të tjera, edhe përmes shitjes së arit të marrë nga nëna dhe familjarët e saj, me qëllim përmbushjen e kërkesave të të dyshuarit”, thuhet në njoftim.
Dyshohet gjithashtu se S.Q. ka vazhduar komunikimet e padëshiruara dhe kërcënuese, duke i shkaktuar të dëmtuarës frikë dhe shqetësim të madh emocional për veten dhe anëtarët e familjes së saj.
Gjatë aksionit, autoritetet kanë sekuestruar 21 mijë e 100 euro, një veturë dhe dy telefona celularë.
I pandehuri është ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria, brenda afatit ligjor, do të vlerësojë paraqitjen e kërkesës për caktimin e masës për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale.
Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe sigurimin e provave relevante.

