Monday, August 17, 2026
HomepafilterTë të vijë turp, zoti Ministër!

Të të vijë turp, zoti Ministër!

Nga Vladimir Muçaj

Sot, kur shtatë turistë të huaj rrezikuan jetën në një hotel të përfshirë nga flakët në Vlorë, kur tre prej tyre pësuan djegie të rënda dhe të tjerë u detyruan të hidhen nga kati i dytë për t’i shpëtuar zjarrit, duke pësuar fraktura në këmbë e në brinjë, Shqipëria turistike kishte një detyrim të thjeshtë: të ishte aty.

Jo me kamera. Jo me konferenca shtypi. Jo me fjalime.

Por me një vizitë në spital.

Një ministër. Një deputet. Dikush nga shteti që t’u thoshte atyre njerëzve, të shtrirë në shtretërit e spitalit: “Të shkuara dhe na falni!”

Por askush nuk shkoi.

Dhe kjo është ajo që dhemb më shumë se vetë zjarri.

Sepse kur mbërrin charter-i i parë me turistë, ne dimë të dalim me lule, shampanjë, tapet të kuq dhe kamera. Dimë të buzëqeshim para objektivëve dhe të flasim për “bumin turistik”, për mikpritjen shqiptare dhe për rekordet e sezonit.

Por kur turisti përfundon në spital, i djegur, i plagosur dhe i traumatizuar, shteti duket se humbet edhe adresën e spitalit.

Ministrit të Turizmit i takonte të ishte aty. Jo thjesht për shkak të funksionit që mban, por mbi të gjitha për shkak të një detyrimi moral ndaj njerëzve që kanë ardhur në Shqipëri si miq dhe që u gjendën përballë një rreziku serioz për jetën.

Nuk kërkonte askush prej tij të shuante zjarrin.

Kërkohej vetëm të tregonte se Shqipëria nuk i pret turistët vetëm kur vijnë me valixhe, por nuk i harron kur dalin prej hotelit me barela.

Një vizitë në spital do të ishte minimumi i njerëzillëkut.

Dhe, po, zoti Ministër, do të ishte edhe një “qokë”. Por këtë herë një qokë që nuk bëhet për fotografi, për protokoll apo për propagandë. Një qokë njerëzore, sa për të treguar se pas zyrës, kostumit dhe titullit të ministrit ekziston edhe një njeri.

Prandaj sot, pa diplomaci të tepërt, pa e mbështjellë fjalën me pambuk:

Të të vijë turp, zoti Ministër!

Turisti që vjen në Shqipëri nuk është vetëm një numër në statistikat e ministrisë. Është një njeri. Dhe kur ai rrezikon jetën në vendin tonë, shteti duhet të jetë pranë tij.

Sepse mikpritja nuk matet me lulet në aeroport.

Mikpritja e vërtetë provohet kur miku yt është në spital.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram