Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj A.S., për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur më 27 maj 2026, në rrugën “Adem Voca” në Mitrovicë, në banesën e viktimës E.I.
“Në momentin që viktima ia hapë derën të pandehurit, i njëjti i flet viktimës, e përqafon dhe ja uron festën e Kurban Bajramit, hyn brenda në kuzhinë dhe papritmas nxjerr armën e ftoftë – thikën dhe e prenë viktimën në regjionin e përparmë të qafës”, thuhet në njoftim.
Nga plagët e shkaktuara, viktima ka humbur jetën para se të arrinte të dërgohej në spital.
Më pas, sipas Prokurorisë, i pandehuri ka tentuar ta godasë me thikë edhe të dëmtuarin S.I. në pjesën e fytit. I dëmtuari ka arritur t’i shmanget goditjes, por është goditur në fytyrë, përkatësisht në hundë dhe buzë, duke pësuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Gjykata që ta shpallë fajtor të pandehurin për veprat penale që i vihen në barrë dhe t’i shqiptojë dënim meritor, në pajtim me ligjin.

