Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka lëshuar sot certifikatën e parë të origjinës “Made in Kosova”, sipas standardeve ndërkombëtare, pas pranimit të saj në Rrjetin Ndërkombëtar të Dhomave të Tregtisë (ICC) për lëshimin e certifikatave të origjinës.
Certifikata e parë iu lëshua kompanisë FLUIDI Group, në një ceremoni ku dokumenti iu dorëzua përfaqësuesve të kompanisë nga kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, dhe zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Jeton Mehmeti.
Sipas OEK-ut, ky zhvillim përbën një hap të rëndësishëm për bizneset kosovare, pasi certifikatat e origjinës “Made in Kosova”, të lëshuara sipas standardeve ndërkombëtare, rrisin besueshmërinë e dokumentacionit tregtar dhe lehtësojnë procedurat e eksportit në tregjet ndërkombëtare.
Për bizneset kosovare, kjo mundëson një proces më të standardizuar dhe të besueshëm për dëshmimin e origjinës së produkteve, duke kontribuar në forcimin e pozitës së tyre në tregtinë ndërkombëtare dhe në zgjerimin e eksporteve.
OEK vlerëson se përfshirja në rrjetin ndërkombëtar të ICC-së dhe lëshimi i certifikatave sipas këtyre standardeve paraqet avancim në shërbimet që u ofrohen bizneseve dhe në mbështetjen për operimin e tyre në tregjet globale.
Oda Ekonomike e Kosovës e ka uruar këtë kompani për marrjen e certifikatës së parë, duke i dëshiruar sukses në zgjerimin e aktiviteteve dhe prezencës në tregjet ndërkombëtare.

