atsh
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë informon se deri në orën 20:00, situata e zjarreve në vend paraqitet në përmirësim, me shtatë vatra të regjistruara, nga të cilat katër mbeten aktive dhe tri nën monitorim.
Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, forcat operacionale vijojnë punën në terren, ndërsa mbështetja e Forcave të Armatosura të Shqipërisë ka qenë e konsiderueshme, me 140 efektivë, tre helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”.
Vatrat aktive kryesore në Shqipëri:
Dajt, Tiranë – Vijon puna për izolimin e vatrës me 50 efektivë të FA dhe 1 helikopter. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Priskë, vatra është riaktivizuar, por po ndiqet nga forcat operacionale dhe gjithashtu nuk rrezikon banesat.
Lufaj, Mirditë – Vatra mbetet aktive, por me intensitet të ulët dhe avancim të lehtë. Forcat janë pozicionuar pranë zonës dhe nuk ka rrezik për banesat.
Mali i Tërbunit, Pukë – Vijon operacioni në terren të vështirë. Janë angazhuar 13 zjarrfikës, 8 punonjës të Shërbimit Pyjor, 45 forca bashkiake, 22 vullnetarë dhe 30 efektivë të FA, me mbështetjen e 2 helikopterëve. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Zjarri në Gurë-Lurë është shuar plotësisht, pas një operacioni me rreth 150 forca vendore, 30 efektivë të FA dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Gjithashtu është shuar plotësisht vatra në Bruç, Mat, ndërsa vatrat në Qafë Helmës, Tharri dhe Selenicë janë në monitorim dhe pa rrezik për zonat e banuara.
Në të gjitha vatrat vijon angazhimi dhe monitorimi i koordinuar i strukturave të Mbrojtjes Civile të Shqipërisë, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe kufizimin e përhapjes së zjarreve.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile e Shqipërisë vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

