Forcat ukrainase kryen një sulm të madh me dronë në Moskë dhe në rajonin e saj më të gjerë gjatë natës së 18 gushtit, raportuan kanalet ruse në Telegram, duke cituar dëshmi nga banorët, raporton Kyiv Independent.Kryetari i bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin, tha se të paktën 187 dronë ukrainas u rrëzuan mbi rajonin e Moskës, ndërsa burimet ruse pohojnë se më shumë se 600 u nisën drejt rajonit.
Kanali ukrainas i monitorimit të luftës Exilenova Plus njoftoi se mbrojtja ajrore ruse, duke u përpjekur të rrëzonte dronë, goditi një ndërtesë banimi në Pavlovsky Posad, një qytet rreth 67 kilometra larg Moskës. Një zjarr shpërtheu në çatinë e ndërtesës.
Zjarri thuhet se shpërtheu edhe në një fabrikë alumini në rajonin e Moskës, ndërsa një zjarr u regjistrua edhe në një shtëpi në Ljuberci, një qytet pranë kufirit administrativ të Moskës.
Gazeta Kyiv Independent nuk mundi të konfirmonte në mënyrë të pavarur akuzat për sulme ose pretendimet e zyrtarëve rusë.
Sulmet e reja pasuan një nga sulmet më të mëdha me dronë të Ukrainës në rajonin e Moskës, të kryera më 16 gusht. Në të, u dëmtua depoja e Wildberries, një nga shitësit më të mëdhenj online rusë.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës konfirmoi sulmin ndaj magazinës, duke deklaruar se ajo ishte objekti më i madh logjistik i kompanisë, që mbulonte një sipërfaqe prej 250,000 metrash katrorë.
Sulmet ndaj Moskës janë bërë gjithnjë e më të shpeshta në muajt e fundit falë zhvillimit të sistemeve pa pilot të Ukrainës.
Ukraina shënjestron rregullisht infrastrukturën ushtarake thellë brenda territorit rus dhe në territoret e pushtuara, duke kërkuar të dobësojë aftësinë e Moskës për të vazhduar luftën.

