Wednesday, August 19, 2026
HomeLajmeKosovëIPK trajton me seriozitet rastin në veri

IPK trajton me seriozitet rastin në veri

Kanë mjaftuar disa dyshime fillestare pas pretendimeve të Nenad Rashkoviqit, që Inspektoriati Policor i Kosovës të nisë hetim dhe, pas veprimeve të para hetimore, t’i rekomandojë Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve policorë. Operacioni policor ishte zhvilluar në afërsi të pronave të Rashkoviqit, ku ishte gjetur edhe armatim. Pretendimet për keqtrajtim janë pjesë e hetimit të IPK-së, ndërsa përgjegjësia eventuale e zyrtarëve pritet të përcaktohet në përfundim të procesit.

Inspektorati Policor i Kosovës mbrëmë përmes një komunikate ka bërë të ditur se disa ditë më herët ka filluar sipas detyrës zyrtare një hetim paraprak me qëllim të verifikimit të pretendimeve dhe sqarimit të të gjitha fakteve dhe rrethanave relevante që lidhen me rastin rreth veprimeve policore gjatë një operacioni policor të zhvilluar në Dren të Zubin Potokut.

“Hetimet e IPK-së kanë filluar bazuar në raportimet mediale dhe deklaratat publike të datës 11 gusht 2026 lidhur me pretendimet nga qytetari me inicialet N. R ndaj disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për tejkalim të autorizimeve policore. Në kuadër të këtij hetimi, pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, IPK  i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve policorë të  Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut, me dyshimin se të njëjtit janë të përfshirë si të dyshuar në këtë rast për veprën penale ‘Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’”, thuhet në komunikatë.

Trajtimi i këtij rasti me seriozitet nga institucionet e Republikës së Kosovës tregon ndjeshmërinë e lartë dhe profesionalizmin për rastet ku ka dyshime për keqpërdorim të autorizimeve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike të palëve të përfshira.

Institucionet e Kosovës edhe më herët i kanë trajtuar me përgjegjshmëri rastet e ankesave për tejkalim të autorizimeve policore në veri të vendit. Por këto raste në vazhdimësi janë përdorur për propagandë nga Beogradi dhe mediat e atjeshme, duke i cilësuar si “dhunë dhe persekutim të serbëve”.

Në Zubin Potok ditët e fundit janë kryer kontrolle dhe arrestime të personave të dyshuar për krime lufte, pasi në këtë komunë janë identifikuar disa lokacione për varreza masive nga lufta e viteve 1998-’99 në Kosovë.

Rasti është bërë publik nga Lista Serbe më 11 gusht, e cila kishte publikuar fotografi ku pretendohej se shihej Rashkoviqi me shenja mavijosjeje në shpinë. Sipas komunikatës së kësaj partie, Rashkoviqi ishte dërguar në një zonë malore, ku ishte lidhur për një pemë dhe ishte rrahur me një zorrë uji, duke iu kërkuar të pranonte se kishte kryer krime lufte ndaj shqiptarëve.

Megjithatë, versioni i dhënë nga vetë Rashkoviqi për mediat në gjuhën serbe kishte dallime nga ai i paraqitur nga Lista Serbe. Ai deklaroi se në vendngjarje kishin qenë tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ndërsa sipas tij, vetëm njëri prej tyre e kishte keqtrajtuar.

Operacioni në Dren të Zubin Potokut është zhvilluar në një periudhë kur në këtë komunë janë kryer kontrolle dhe arrestime të personave të dyshuar për krime lufte. Në këtë zonë janë identifikuar edhe disa lokacione që dyshohet se janë varreza masive nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë.

Rekomandimi për suspendimin e dy zyrtarëve nuk paraqet përfundim të hetimeve, ndërsa tashmë pritet që procesi i mëtejmë hetimor të përcaktojë përgjegjësinë eventuale të zyrtarëve të dyshuar.

Institucionet e Kosovës kanë theksuar në vazhdimësi se çdo pretendim për keqpërdorim të autorizimeve policore duhet të hetohet në mënyrë profesionale dhe të paanshme, pavarësisht përkatësisë etnike të personave të përfshirë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram