Kadri Xhemaili është dënuar me gjashtë muaj burgim për kanosjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Xhemaili e ka pranuar fajësinë në seancën gjyqësore të së premtes, ndërsa ka shprehur edhe pendesë për veprimin e tij.
Gjykata ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, të arritur mes të pandehurit, mbrojtjes dhe Prokurorisë.
Prokurori Bekim Kodraliu tha se marrëveshja është arritur në mënyrë vullnetare dhe pas konsultimit të mjaftueshëm të të pandehurit me mbrojtësin e tij.
“Marrëveshja është arritur me vullnet të lirë, pa asnjë presion. I pandehuri është njoftuar me pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë”, deklaroi Kodraliu, duke kërkuar nga gjykata miratimin e marrëveshjes.
Edhe mbrojtësi i Xhemailit, avokati Rinor Arifi, ka deklaruar se mbrojtja mbetet pranë marrëveshjes së arritur me Prokurorinë.
Në seancë nuk ishte i pranishëm Kurti. Gjyqtari Rrahman Beqiri bëri të ditur se Kurti e kishte pranuar ftesën për pjesëmarrje, por mungesën nuk e kishte arsyetuar.
Sipas aktakuzës, më 22 tetor 2025, Xhemaili, me qëllim të frikësimit të Kurtit në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, e kishte kanosur atë publikisht përmes rrjetit social Facebook.
Në aktakuzë thuhet se kërcënimi kishte të bënte edhe me privimin nga jeta të Kurtit.
Pas pranimit të fajësisë dhe marrëveshjes së arritur me Prokurorinë, Gjykata e ka dënuar Xhemailin me gjashtë muaj burgim.

