Friday, August 21, 2026
HomeLajmeKosovëThaçi: Pres lirimin nga çdo akuzë më 16 shtator

Thaçi: Pres lirimin nga çdo akuzë më 16 shtator

Derisa kanë mbetur edhe pak ditë deri në vendimin përfundimtar të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në një intervistë në TV Dukagjini, ka deklaruar se pret lirimin nga çdo akuzë më 16 shtator.

“Nuk kam çka t’u shtojë argumenteve të ekipeve mbrojtëse, si dhe fjalës sime përfundimtare në sallën e gjyqit”, ka deklaruar ai.

Thaçi është pyetur edhe nëse është penduar për iniciativën për themelimin e Dhomave të Specializuara me seli në Hagë.

Ai ka deklaruar se nuk është penduar, por ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, është përdorur vullneti i institucioneve të Kosovës.

“Jo. Por nuk do të besoja se vullneti i të zgjedhurve të popullit të Kosovës do të keqpërdorej kaq brutalisht. Çuditërisht, narrativa e pretendimeve të tilla fillon nga vitet e tetëdhjeta, atë kohë isha 11-12 vjeç të lëvizjes së popullit të Kosovës për liri. Vazhdon deri në dhjetor 2000. Kulmon me Raportin e Dick Martyt, rrëfim ky i ndërtuar në bashkëpunim tanimë të konfirmuar mes zyrtarëve serb dhe rus në Këshillin e Evropës”, shtoi Thaçi.

Ai tutje ka thesuar se prokuroria po lartëson dëshmitë e fabrikuara nga epoka e regjimit të Millosheviqit. “Po mohon dëshmitë dhe argumentet e zyrtarëve të lartë të SHBA-së, NATO-s, Britanisë së Madhe, OKB-së, OSBE-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare. Zyrtarët ndërkombëtarë ishin sytë dhe veshët e Perëndimit në Kosovë”, tha Thaçi.

E javë më parë nga paraburgimi në Hagë, në një intervistë për RTK-në edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka shprehur  bindjen se aktgjykimi i 16 shtatorit do të dëshmojë pastërtinë e luftës së UÇK-së.

 “Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kujtohet ashtu siç ishte në të vërtetë: një kryengritje popullore e lindur nga një popull i shtypur dhe një projekt sublim për lirinë e dinjitetin njerëzor. Ajo nuk ishte zgjedhje apo dëshirë e jonë për luftë, por ishte rruga e vetme e mbetur për të shpëtuar nga politika gjenocidale e Serbisë. Kam besim se dëshmitë e dokumentuara, historia dhe memoria publike do të vlerësohen me kujdes dhe në mënyrë të drejtë”, tha Krasniqi në atë intervistë.

Ndërkohë, lidhur me procesin në Hagë, sot platforma “Liria ka emër” ka paralajmëruar në orën 16:00 konferencë për media.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram