Saturday, August 22, 2026
HomeLajmeKosovëArrestohen tre persona për vjedhje në Leposaviq

Arrestohen tre persona për vjedhje në Leposaviq

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, pas një rasti të raportuar më 20 gusht në Leposaviq.

Sipas njoftimit të policisë, ankuesi ka raportuar se persona të panjohur kishin depërtuar në shtëpinë e tij, nga ku dyshohet se janë vjedhur 12 mijë euro, 40 mijë dinarë dhe dy zinxhirë ari. Në kohën e vjedhjes, në shtëpi nuk ndodhej askush.

“Rasti është trajtuar nga Njësia Rajonale e Hetimeve në Mitrovicë të Veriut, e cila, pas veprimeve hetimore dhe operative, ka arritur të identifikojë katër persona të dyshuar. Tre prej tyre janë arrestuar, ndërsa një person tjetër vazhdon të jetë në kërkim. Gjatë kontrolleve në adresat e të dyshuarve, Policia ka arrestuar N.V., i lindur më 2006, në fshatin Borovë të Leposaviqit, tek i cili është gjetur një fishek për pistoletë. Po ashtu, në Leshak është arrestuar N.L., i lindur më 2007, tek i cili janë gjetur 5 mijë e 300 euro, për të cilat dyshohet se janë para të përfituara nga vjedhja”, thuhet në njoftimin e policisë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndërkohë, personi i tretë i arrestuar, D.M., i lindur më 2009, është liruar në procedurë të rregullt.

Policia ka apeluar te qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë e shtëpive dhe banesave, sidomos gjatë kohës kur largohen prej tyre, duke rekomanduar që ato të lihen nën përkujdesjen e familjarëve ose personave të besueshëm, teksa për çdo rast të dyshimtë, ka ftuar qytetarët të raportojnë në numrin 192.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram