Delegacioni i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve po zhvillon një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë vizitës, delegacioni ka përcjellë nga afër organizimin e zgjedhjeve primare në Tampa të Floridës dhe ka vizituar në Omaha selinë e ES&S-së, kompanisë më të madhe amerikane në fushën e teknologjisë zgjedhore, ku është njohur me pajisjet dhe zgjidhjet teknologjike për administrimin e zgjedhjeve.
Në Uashington D.C., delegacioni zhvilloi takim në Departamentin Amerikan të Shtetit me Amy Carnie, Drejtoreshë e Zyrës për Evropën Qendrore dhe Perëndimore dhe përfaqësues të Zyrës për Kosovën.
Gjithashtu, delegacioni u takua me zyrtar të lartë të Zyrës për Evropën Lindore dhe Euroazinë në Departamentin Amerikan të Tregtisë, ku u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit dhe mbështetjes për avancimin e administrimit të zgjedhjeve në Kosovë përmes përdorimit të teknologjisë.
Delegacioni zhvilloi takim edhe me Bordin Zgjedhor të Distriktit të Kolumbias, ku u diskutua për praktikat e administrimit të zgjedhjeve dhe mundësitë e bashkëpunimit institucional.
“Vizita synon shkëmbimin e përvojave, forcimin e bashkëpunimit institucional dhe avancimin e mëtejshëm të administrimit të zgjedhjeve në Kosovë përmes përdorimit të teknologjisë”, njofton KQZ.

