Wednesday, September 23, 2026
HomeLajmeKosovëHamza për ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Ata nuk janë vetëm

Hamza për ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Ata nuk janë vetëm

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se nga sot ka nisur numërimi mbrapsht drejt 16 shtatorit, datës kur pritet të shpallet vendimi përfundimtar ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Hamza i bëri këto deklarata në një aktivitet të organizuar nga platforma “Liria ka Emër” në Prishtinë me moton “Kosova po pret”, ku u vendos “Ora e pritjes”, një ekran që simbolizon numërimin deri në datën e vendimit.

Ai tha se afrimi i 16 shtatorit duhet të shërbejë edhe si kujtesë për luftën dhe sakrificën për lirinë e Kosovës.

“Koha po ecën. Pritja tashmë është shkurtuar, por kujtesa jonë nuk shkurtohet. Përkundrazi, sa më shumë afrohet dita, aq më zëshëm duhet të themi atë që kemi për të thënë. Dhe sot jemi këtu për ta filluar numërimin së prapthi. Çdo ditë që kalon, çdo orë që është drejt fundit, çdo minutë që numërohet do të na kujtojë se 16 shtatori po afrohet”, deklaroi Hamza.

Sipas tij, ekrane të ngjashme do të vendosen edhe në qytete të tjera të Kosovës, si simbol i pritjes së vendimit.

“Janë një mesazh për familjet që presin, janë mesazh për ata që janë në Hagë dhe janë mesazh për të gjithë botën që Kosova nuk harron”, u shpreh ai.

Hamza tha se Kosova nuk harron kontributin e atyre që kontribuuan në çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës, duke përfshirë luftën e UÇK-së, procesin e negociatave në Rambuje dhe ndërhyrjen e NATO-s.

Kreu i PDK-së kritikoi procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët prej vitesh po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Ata që dikur numëronin ditët deri te liria, sot padrejtësisht i numërojnë ditët brenda mureve të izolimit në Hagë”, deklaroi Hamza.

Në fund, ai tha se mesazhi i qytetarëve të Kosovës për katër ish-krerët e UÇK-së është se ata nuk janë vetëm.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre që po mbahen në Hagë, nuk janë vetëm. Pas tyre janë familjet, bashkëluftëtarët, miqtë dhe një popull i tërë që nuk i harron. Nga Prishtina në çdo komunë, nga sheshet në lagje, le ta bëjmë këtë numërim të dukshëm. Sepse, një popull që kujton, nuk lejon që historia e tij të rishkruhet. Të bëhemi bashkë të gjithë. Ndryshe për politikën, por bashkë për Kosovën. Bashkë të marshojmë më 12 shtator. Bashkë t’i presim më 16 shtator”, tha Hamza.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram