Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka mbështetur propozimin e deputetit të Aleancës, Ramush Haradinaj që Hashim Thaçi, pas kthimit të tij në Kosovë, të rimarrë mandatin nga Kuvendi i Kosovës dhe të zgjidhet president i vendit.
Në një reagim në Facebook, OVL e UÇK-së e ka cilësuar këtë propozim si çështje me “peshë kombëtare”.
“Propozimi mbart peshë kombëtare dhe institucionale dhe i shërben frymës unifikuese në vend”, thuhet në deklaratë.
OVL e UÇK-së ka vlerësuar rolin e Thaçit gjatë luftës çlirimtare dhe në proceset e mëvonshme shtetformuese dhe shtetndërtuese të Kosovës, duke vlerësuar se ato “janë garanci dhe siguri për ecjen përpara të Kosovës në krah me aleatët tanë strategjikë”.
Sipas organizatës, kthimi i tij në Kosovë duhet të pritet “me dinjitet institucional dhe me zgjidhje të ligjshme”, duke theksuar se situata aktuale institucionale nuk duhet ta mbajë vendin peng.
“Kthimi i tij duhet pritur me dinjitet institucional dhe me zgjidhje të ligjshme, që nuk lejon që vakuumi i tanishëm institucional dhe rrethanat degraduese ta mbajnë Kosovën peng dhe ta shpien në drejtim të gabuar”, thuhet më tej në reagim.
OVL e UÇK-së u ka bërë thirrje institucioneve relevante dhe forcave politike që ta shqyrtojnë seriozisht propozimin, përtej ndasive partiake.
Sipas kësaj organizate, “sot Kosova ka nevojë më shumë se kurrë që të mbizotërojë interesi kombëtar, dinjiteti dhe siguria e shtetit, duke mos anashkaluar asnjëherë nderimin dhe respektin për ata që luftuan, sakrifikuan dhe fituan lirinë dhe shtetësinë e Kosovës”.

