Monday, August 24, 2026
HomeLajmeKosovëGjykata liron nga akuzat për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Gjykata liron nga akuzat për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Gjykata Themelore në Pejë ka liruar nga akuzat për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të akuzuarit Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj.

Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj janë liruar nga akuza për bashkëkryerje të veprës penale “vrasje e rëndë”, ndërsa Halil Mehmetaj nga akuza për “shtytje në vrasje të rëndë”. Kastriot Mehmetaj është liruar edhe nga akuza për armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë, gjykata i ka shpallur fajtorë Halil dhe Kreshnik Mehmetajn për mbajtje, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve. Halil Mehmetaj është dënuar me tre vjet burgim, ndërsa Kreshnik Mehmetaj me një vit burgim.

Dënimet do të ekzekutohen vetëm pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm, ndërsa në to do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Secili prej dy të dënuarve duhet të paguajë nga 300 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe nga 50 euro në fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Ndërkaq, gjykata ka vendosur t’ua ndërpresë masën e paraburgimit të tre të akuzuarve.

Prokuroria e Shtetit nuk është pajtuar me vendimin dhe ka paralajmëruar ankesë. Prokurorja e rastit, Sahide Gashi, tha se Prokuroria mbetet e bindur se të akuzuarit janë kryerësit e veprës dhe se aktakuza është mbështetur në prova.

“Patjetër” do të bëjmë ankesë, tha Gashi, duke shtuar se Prokuroria nuk pajtohet me vlerësimin e gjykatës se rasti nuk është dëshmuar.

“Ky është mendim-vendim i një gjykate në një shkallë. Prokuroria mendon përtej çdo dyshimi dhe e ka bazuar aktakuzën në shumë prova. Beteja vazhdon”, deklaroi ajo.

Rasti lidhet me sulmin e 26 nëntorit 2021 në Gllogjan, kur një autobus u qëllua me armë zjarri. Nga të shtënat u vranë shoferi i autobusit dhe dy nxënës 17-vjeçarë, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur.

Prokuroria i kishte akuzuar tre të pandehurit për vrasjen e trefishtë, duke pretenduar se motivi ishte hakmarrja.

Procesi gjyqësor ishte rihapur në korrik të këtij viti pas paraqitjes së një prove shtesë nga Prokuroria. Bëhej fjalë për një video-incizim ku, sipas Prokurorisë, shihej Kreshnik Mehmetaj duke shtënë me armë në një bjeshkë. Prokuroria pretendonte se arma në video mund të ishte e njëjtë me atë të përdorur në krim.

Pas administrimit të kësaj prove, gjykata e kishte mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe kishte caktuar 24 gushtin për shpalljen e aktgjykimit.

Me vendimin e sotëm, të tre të akuzuarit janë liruar nga akuzat për vrasjen e trefishtë, ndërsa dy prej tyre janë dënuar për armëmbajtje. Të treve u është ndërprerë paraburgimi.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram