Friday, September 18, 2026
HomeLajmeKosovëProkuroria dhe Policia në Pejë koordinohen për mbrojtjen e të miturve

Prokuroria dhe Policia në Pejë koordinohen për mbrojtjen e të miturve

Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar një takim koordinues, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në trajtimin e veprave penale kundër integritetit seksual, me fokus të veçantë në rastet ku viktima janë të miturit.

Takimi u udhëhoq nga prokurorja e shtetit Sanije Gashi-Seferi, koordinatore për veprat penale kundër integritetit seksual, ndërsa pjesëmarrës ishin zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet prokurorëve dhe zyrtarëve policorë, me qëllim të një reagimi të shpejtë, profesional dhe efektiv në trajtimin e rasteve të këtyre veprave penale.

Sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial vëmendje e veçantë iu kushtua mbrojtjes së të miturve, përfshirë vetëdijesimin dhe informimin e tyre për identifikimin e situatave të rrezikshme, raportimin me kohë dhe mekanizmat përmes të cilëve mund të kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje.

Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e sigurimit dhe dokumentimit të provave që nga vendi i ngjarjes. Në këtë drejtim, u theksua nevoja për identifikimin, sigurimin dhe ruajtjen e gjurmëve materiale, dëshmive relevante dhe të dhënave të tjera që mund të ndihmojnë në ndriçimin e plotë të rrethanave të rasteve dhe zhvillimin e suksesshëm të procedurave penale.

Po ashtu, u vlerësua si e rëndësishme sigurimi në kohë i incizimeve nga kamerat e sigurisë, si dhe mbledhja dhe administrimi i duhur i provave elektronike dhe materiale me rëndësi për procedurën penale.

Takimi kishte për qëllim edhe avancimin e komunikimit dhe koordinimit ndërmjet zyrtarëve policorë, prokurorëve dhe institucioneve të tjera kompetente, duke vendosur në fokus mbrojtjen e të miturve viktima, respektimin e të drejtave të tyre dhe sigurimin e një procesi profesional e të ndjeshëm gjatë trajtimit të rasteve.

Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës kanë konfirmuar se do të vazhdojnë bashkëpunimin dhe koordinimin e ndërsjellë, me synim parandalimin dhe zbulimin më efektiv të veprave penale kundër integritetit seksual, forcimin e kapaciteteve profesionale dhe mbrojtjen e të drejtave dhe integritetit seksual të të miturve.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram