Deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së dhe ata të Aleancës, kanë qenë sërish sot në orën 11:00 në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, në pritje të vazhdimit të seancës konstituive.
Nga foltorja e Kuvendit, deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, akuzoi Albin Kurtin për bllokim të procesit institucional, duke thënë se mandati i deputetëve u është dhënë nga qytetarët dhe nuk mund t’u merret.
“Ky shtet nuk është pronë private. Kushtetuta nuk është pronë private. Kuvendi nuk është pronë private. Republika e Kosovës nuk është pronë private”, deklaroi Reçica, thuhet në njoftimin e këtij subjekti politik.
Ai kërkoi nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive, duke theksuar se PDK-ja do të vazhdojë të jetë e pranishme në Kuvend.
“Ne do të vijmë çdo 48 orë. Do të kërkojmë seancën. Do të kërkojmë konstituimin. Do të kërkojmë respektimin e rendit kushtetues”, tha Reçica.
PDK ka bërë të ditur se pas 48 orësh do t’i drejtohet përsëri kryesuesit të seancës, Avni Dehari, me kërkesën për vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

