Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) lidhur me gjyqtarët dhe stafin serb që kishin dhënë dorëheqje nga sistemi gjyqësor në vitin 2022.
Haxhiu ka përshëndetur propozimin e KGJK-së për lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë që kishin dhënë dorëheqje, duke bërë të ditur se do të ndërmarrë veprimet e nevojshme sapo t’i pranojë zyrtarisht propozimet e Këshillit.
“Përshëndes propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, pas pranimit të propozimeve nga KGJK-ja, do të ndërmarrë veprimet për lirimin e tyre nga detyra.
Reagimi i Haxhiut vjen pasi KGJK-ja, në mbledhjen e mbajtur të enjten, ka shqyrtuar çështjen e gjyqtarëve dhe stafit serb që kishin dhënë dorëheqje nga sistemi gjyqësor. Këshilli ka refuzuar kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve dhe rikthimin e tyre në sistem, me nëntë vota për, një kundër dhe një abstenim.
Kujtojmë se dorëheqjet e gjyqtarëve dhe stafit serb nga institucionet e drejtësisë ishin dhënë në fund të vitit 2022, në kuadër të largimit të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës.

