Pas gati gjashtë vjetësh përballje në Hagë, procesi më i madh dhe më i rëndësishëm gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po shkon drejtë përmbylljes.
Kur na ndajnë vetëm edhe pak ditë nga dita kur do të shpallet aktgjykimi, besimi mbetet i palëkundur në pafajësinë e tyre dhe në bindjen se lufta për çlirimin e Kosovës ka qenë e drejtë.
“Nuk ka proces gjyqësor, as në vend e as jashtë tij, që mund ta njollosë UÇK-në. Ne shpresojmë më të mirën dhe dëshirojmë të na kthehen në Kosovë të lirë. Besojmë në pafajësinë e tyre”, tha Albin Kurti, kryeministër në detyrë i Kosovës.
Se verdikti do të vulosë pafajësinë dhe pastërtinë, jo vetëm për ta por edhe narrativën e luftës çlirimtare para drejtësisë ndërkombëtare, mbetet besim i madh edhe nga pala mbrojtëse. Ndërkohë që për bashkëluftëtarët e tyre, kjo gjykatë mbetet e njëanshme dhe e ndikuar politikisht.
“Unë besoj se trupi gjykues kur ti peshoj vlerën provuese të dëshmisë së dëshmitarëve do ti jap peshë më të madhe dëshmitarëve të mbrojtjes, pikërisht për shkak të cilësisë, rolit dhe pozicionit që ata e kanë pas gjatë luftës në Kosovë”, tha për RTK, Artan Qerkini, avokat.
“Duke pas parasysh faktin që kjo gjykatë qe 6 vite po i mban në paraburgim bashkëluftëtarët tanë atje, pa epilog, pa verdikt përfundimtar duke pas parasysh faktin se edhe zoti Misetiq avokati i Thaçit që e tha që ne i kemi bo 44 kërkesa panelit të trupit gjykues dhe të gjitha janë refuzuar, të gjitha ato që prokuroria i ka dërguar te ta kanë marrë dritë jeshile pra kanë marr përgjigje pozitive nga ana e trupit gjykues, neve na shtin me menduar që mund me pas ndikim politik për vendimin final”, tha Gazmend Syla, nënkryetar i OVL UÇK.
Në Kosovë, pritja është kthyer në ankth e shpresë për një vendim historik – lirimi. Ora e pritjes është vendosur në shumë qytete, ndërkohë muret janë mbushur me grafite e flamuj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 12 shtator, në kryeqytet është paralajmëruar marshimi i fundit mbështetës me moton “Kosova po pret”.

