Nesër duke filluar nga ora 12:00 do të organizohet një vizitë në lokacionin e varrit masiv në Kalludër të Zubin Potokut, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë.
“Me rastin e 30 gushtit – Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Instituti për Mjekësi Ligjore, në bashkëpunim me shoqatat e familjeve të personave të zhdukur, organizojnë një vizitë në lokacionin e varrit masiv në Kalludër, Komuna e Zubin Potokut”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Sipas njoftimit, kjo vizitë zhvillohet në shenjë nderimi për viktimat e zhdukjeve me forcë dhe solidariteti ndaj familjeve të personave të zhdukur.
“Ky aktivitet organizohet në frymën e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe në partneritet me shoqatat e familjeve të personave të zhdukur, duke vlerësuar kontributin dhe bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm në procesin e kërkimit dhe zbardhjes së fatit të personave të zhdukur”, vazhdon njoftimi.

