Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në Ministrinë e Mbrojtjes udhëheqësen e Sektorit të Operacioneve Aktuale në Divizionin e Operacioneve të NATO-s, Blanca Hereza Atienza, së bashku me delegacionin e saj.
Maqedonci ka thënë se gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet e sigurisë në rajon, situatën aktuale dhe rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe NATO-s.
“Vlerësova bashkëpunimin e vazhdueshëm me NATO-n dhe kontributin e Aleancës për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe stabil në Kosovë dhe rajon”, ka thënë Maqedonci.
Ai ka shtuar se Kosova mbetet e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit me NATO-n dhe për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin rajonal e ndërkombëtar.

