Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) ka reaguar lidhur me pretendimet se nuk e ka kundërshtuar ekspertizën financiare në procesin gjyqësor për kërkesën për “fitim të humbur”.
Në një njoftim, NPB ka sqaruar se gjatë procedurës gjyqësore ka kundërshtuar si bazën e kërkesës për dëmin e pretenduar, ashtu edhe ekspertizën financiare mbi të cilën është mbështetur përllogaritja.
Sipas NPB-së, kundërshtimet kanë të bëjnë me bazën faktike, metodologjinë e përdorur për përcaktimin e dëmit, si dhe kompetencën profesionale të ekspertit për kryerjen e një përllogaritjeje të tillë.
NPB ka argumentuar se përllogaritja e “fitimit të humbur” kërkon vlerësim të projeksioneve të ardhshme, rrezikut dhe pasigurive financiare, duke theksuar se këto çështje lidhen edhe me fushën e aktuaristikës dhe jo vetëm me llogaritjet financiare.
“Prandaj, pretendimi se NPB nuk e ka kundërshtuar ekspertizën financiare nuk qëndron”, thuhet në njoftimin e Ndërmarrjes Publike Banesore.

