Sunday, August 30, 2026
HomeLajmeKosovëHaxhiu: Çështja e të zhdukurve mbetet kapitull i hapur, Serbia t’i hapë...

Haxhiu: Çështja e të zhdukurve mbetet kapitull i hapur, Serbia t’i hapë arkivat

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, bëri homazhe të dielën te Monumenti i Personave të Zhdukur, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë.

Haxhiu tha se mendimet në këtë ditë janë pranë familjeve që për afro tri dekada presin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, mendimet tona janë pranë familjarëve, të cilët për afër tri dekada presin përgjigje për më të dashurit e tyre”, tha Haxhiu.

Ajo theksoi se mbi 1,500 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur dhe se çështja e tyre nuk do të konsiderohet e mbyllur deri në gjetjen e personit të fundit.

“Për familjet, pritja vazhdon, ndërsa për Republikën e Kosovës ende vazhdon të jetë një kapitull i hapur, i cili nuk do të mbyllet derisa të gjendet edhe personi i fundit”, deklaroi ajo.

Sipas Haxhiut, kërkimet për personat e zhdukur nuk janë ndalur. Ajo bëri të ditur se vetëm gjatë vitit të fundit, në 17 lokacione janë gjetur mbetje mortore të 30 personave.

“Vetëm në muajin e fundit, në Kalludër dhe Jabukë të Zubin-Potokut, janë gjetur mbetje mortore të së paku 23 personave”, tha Haxhiu.

Ajo falënderoi institucionet e Kosovës për punën dhe profesionalizmin në procesin e kërkimit dhe identifikimit të personave të zhdukur, duke përmendur Policinë e Kosovës, Prokurorinë, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Haxhiu tha se procesi vazhdon të përballet me sfida, veçanërisht për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga Serbia.

Ajo përsëriti kërkesën që Serbia të hapë arkivat shtetërore, duke theksuar se ato mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram