Ka nisur sot edicioni i 21-të i Forumit Strategjik të Bledit (BSF) në Slloveni, ku marrin pjesë liderë politikë, diplomatë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, ekspertë, akademikë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.
Forumi, i cili mbahet më 31 gusht dhe 1 shtator, këtë vit zhvillohet nën temën “Fuqia për të formësuar të ardhmen”, ndërsa diskutimet përqendrohen në ndryshimet gjeopolitike, të ardhmen e Evropës, sigurinë, bashkëpunimin ndërkombëtar, zhvillimet teknologjike dhe sfidat globale.
Republika e Kosovës në këtë forum përfaqësohet nga kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj.
Sipas Ambasadës së Kosovës në Slloveni, pjesëmarrja në Forumin Strategjik të Bledit paraqet mundësi për promovimin e perspektivës së Kosovës dhe për kontribut në diskutimet për të ardhmen e Evropës dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
Ambasada ka theksuar se avancimi i procesit të integrimit evropian, përfshirë marrjen e statusit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, mbetet një nga prioritetet kryesore të Kosovës.

