Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje të përbashkët të Grupit Parlamentar, Kryesisë së Partisë dhe kryetarëve të degëve, me qëllim të koordinimit dhe organizimit për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje të çlirimtarëve.
Në takim është diskutuar për angazhimin organizativ dhe mobilizimin e strukturave të PDK-së në të gjitha degët, në mënyrë që pjesëmarrja në Marsh të jetë sa më e gjerë dhe dinjitoze.
PDK vlerëson se Marshi për Liri ka rëndësi të veçantë kombëtare dhe qytetare, si shprehje e respektit për luftën çlirimtare, sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjen për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Gjatë mbledhjes është theksuar nevoja që të gjitha strukturat e partisë të kontribuojnë në informimin dhe organizimin e qytetarëve që dëshirojnë t’i bashkohen Marshit, duke ruajtur karakterin qytetar, paqësor dhe gjithëpërfshirës të tij.
Për Partinë Demokratike të Kosovës, mbështetja për çlirimtarët është edhe mbështetje për historinë e drejtë të luftës së UÇK-së dhe për vlerat mbi të cilat është ndërtuar liria dhe shteti i Kosovës.
PDK pret që më 16 shtator drejtësia të triumfojë dhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të shpallen të pafajshëm dhe t’i kthehen Kosovës, familjeve dhe qytetarëve të saj.

