Marrëdhëniet tregtare mes Kosovës dhe vendeve të EFTA-s pritet të marrin një shtysë të re nga 1 tetori 2026, kur hyn në fuqi Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet palëve.
Njoftimi është bërë nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, e cila ka bërë të ditur se Këshilli Federal zviceran ka miratuar masat e nevojshme për zbatimin e marrëveshjes.
Në kuadër të EFTA-s bëjnë pjesë Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni. Marrëveshja me Kosovën synon të krijojë një kuadër më të favorshëm për shkëmbimet tregtare, duke u dhënë bizneseve mundësi më të mëdha për qasje në tregjet e këtyre vendeve.
Hyrja në fuqi e marrëveshjes konsiderohet një hap i rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe në forcimin e lidhjeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe shteteve anëtare të EFTA-s.
Për bizneset kosovare, marrëveshja mund të sjellë mundësi të reja për eksport, zgjerim të tregjeve dhe rritje të bashkëpunimit me kompanitë nga Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.
Marrëveshja pritet të lehtësojë më tej qarkullimin e mallrave dhe të kontribuojë në intensifikimin e shkëmbimeve ekonomike mes Kosovës dhe vendeve të EFTA-s.

