Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në vitin 2018.
Sveçla u shpall fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” gjykata ka marrë aktgjykim refuzues, për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale.
Shkalla e dënimit do të bëhet e ditur më 8 shtator, kur është caktuar seanca për paraqitjen e rrethanave lehtësuese dhe rënduese. Sveçla nuk ishte i pranishëm në seancë.
Gjatë procesit, Prokuroria ka paraqitur prova, përfshirë një incizim ku, sipas saj, Sveçla shihet duke aktivizuar dhe hedhur gazin lotsjellës në sallën e Kuvendit. Deputetët e Vetëvendosjes dhe opozitës së atëhershme kishin përdorur gazin lotsjellës për të kundërshtuar marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.
Avokati i Sveçlës, Laur Prenaj, e ka cilësuar vendimin si “të pazakontë” dhe ka paralajmëruar ankesë pasi të pranohet vendimi i plotë.
Sipas Kodit Penal, për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm parashihet dënim me burgim prej një deri në tetë vjet, ndërsa në rrethana kërcënuese ose frikësuese, dënimi mund të jetë deri në dhjetë vjet.
Javën e kaluar, ish-ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, u shpall i pafajshëm në një rast të ngjashëm për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.

