Kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka njoftuar se vazhdimi i seancës do të mbahet më 9 shtator, në orën 11:00.
Dehari ka thënë se e sheh si lajm të mirë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndonëse, sipas tij, ende nuk ka qartësi të plotë nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve.
“Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00”, ka shkruar Dehari.
Ai ka bërë thirrje që deri në atë datë marrëveshja politike të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe gatishmëri të deputetëve për përmbushjen e detyrimeve të tyre kushtetuese.
“Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor”, ka theksuar Dehari.

