Ministrja në detyrë e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se nga sot nuk është më në fuqi vendimi për çmimin maksimal të lejuar të naftës, pas skadimit të Udhëzimit Administrativ që rregullon këtë çështje.
Në një intervistë për RTK-në, Kusari-Lila tha se çmimi i derivateve tashmë do të përcaktohet nga tregu, ndërsa institucionet do të vazhdojnë të monitorojnë lëvizjet e çmimeve dhe aktivitetin e operatorëve.
“Për shkak të skadimit të afatit sipas udhëzimit administrativ mbi naftën dhe derivatet e saj, prej sot nuk ka pasur më përcaktim të çmimit maksimal”, tha ajo.
Kusari-Lila bëri të ditur se operatorët dhe shitësit me shumicë e pakicë janë njoftuar se do të jenë nën mbikëqyrje të afërt. Sipas saj, për monitorimin e tregut do të shfrytëzohen edhe të dhënat e Doganës së Kosovës për sasinë e importuar dhe çmimet në kufi.
Ministrja në detyrë paralajmëroi se, në rast të evidentimit të lëvizjeve të pajustifikuara apo keqpërdorimeve me çmime, institucionet mund t’i rikthehen vendimmarrjes për përcaktimin e një çmimi maksimal.
“Prej sot çmimi është i përcaktuar nga tregu, ndërsa ne prapë e mbikëqyrim se nëse ka lëvizje do t’i kthehemi praktikës apo vendimmarrjes së caktimit të çmimit maksimal”, deklaroi Kusari-Lila.

