Nga Ymer Hysa
Mbi 60 poetë të pranishëm me poezitë e tyre nga të gjithë trojet shqiptare u mblodhën në Festialin e 10-të Kombëtar të Poezisë “Muza poetike budiane” në qytetin e bukur të Burrelit. Kjo ditë e shënuar ishte kurorëzimi me sukses i punës së pa lodhur të organizatorëve të këtij festivali, prof. Hamdi Hysuka, Fatmir Neli dhe Lindita Doda. Meraku i tyre për mbarëvajtjen vërehej qartë që nga pritja e poetëve këtë mëngjes të shtune të 5 shtatorit të 2026-ës.
Pas kafes mikpritëse te Bar-Kafe “Kaziu” pranë Sheshit “Ahmet Zogu” dhe njohjeve mes poetësh, të gjithë së bashku u mblodhëm pranë bustit të Pjetër Budit, pranë gjimnazit me të njëjtin emër, duke vendosur kurora me lule.
Pas një fotografie të përbashkët pranë gjimnazit, nisemi drejt mjediseve të Pallatit të Lulturës “Shefqet Doda” ku do të mbahej ky festival kombëtar, që këtë vit nuk do të ishte konkurues, por festival poetik jubilar.
Kryetari i Klubit letrar “Pjetër Budi” Mat, profesori, poeti dhe gazetari i shquar matjan, z. Hamdi Hysuka, duke iu uruar mirëseardhjen të gjithë poetëve të pranishëm, të ftuarve dhe pushtetarë vendorë u shpreh: “Në këtë dekadë, në Mat kanë ardhur krijues nga Shqipëria, Kosova, trevat shqiptare, diaspora dhe vende të tjera ku jeton e krijon shqiptari. Secili ka sjellë poezinë, librin, përvojën dhe botën e tij shpirtërore, duke e pasuruar këtë veprimtari me larminë e zërave dhe të përvojave letrare. Dhjetë vite festival kanë sjellë dhjetëra çmime, qindra krijime poetike, promovime librash, takime me autorë dhe, mbi të gjitha, një rrjet të bukur miqësish letrare. Çmimet “Pjetër Budi”, “Hamit Aliaj”, “Zëri i ri poetik”, “Çmimi i poetëve” dhe “Çmimi i Karrierës” kanë krijuar një traditë të veçantë vlerësimi, duke nderuar si poetët e afirmuar, ashtu edhe zërat e rinj të poezisë shqipe”.
Në fjalën e tij poeti dhe studiuesi i mirënjohur i letërsisë, z. Behar Gjoka, foli për 460-vjetorin e lindjes së Pjetër Budit, duke u ndalur në figurën, veprën dhe vendin që zë ky autor në historinë e kulturës dhe të letërsisë shqipe.
Në edicionin e dhjetë jubilar, ku poezia erdhi për t’u takuar dhe jo për t’u garuar, morën pjesë personalitete të njohura të letërsisë, kulturës dhe jetës publike, ndër të cilët kryetari i LShASh, prof. Mujo Buçpapaj, kryetari i LShA të Kosovës, prof. Shyqri Galica, kryetarja e LShASh me qendër në Novara të Italisë, Trandafile Molla (Baja), Ali Daci, kryetar i Manifestimit Tradicional Kulturor “Ora e Maleve”, Rozhajë, Mali i Zi; Adnan Mehmeti, president i Shoqatës së Shkimtarëve Shqiptarë si dhe kryetarët e disa prej drejtuesve te Lidhjeve të shkrimtarëve nër rrethe si Myrteza Mara, Sunai Raimi, Hekuran Halili, Agim Bajrami etj.
Pas himnit kombetar për të pranishmit u shfaq një dokumentar kushtuar historisë dhjetë vjeçare të Klubit Letrar “Pjetër Budi”, duke sjellë në vëmendje veprimtarinë, kontributet dhe rrugëtimin e tij në jetën letrare e kulturore të Matit.
Pjesë e këtij festivali jubilar ishte edhe promovimi i tre librave si “Shtegu i mbramë”, vëllimi i parë me poezi i autores matjane Liljana Ceni; “Shtigjet e përgjakura”, vepër e Ali Dacit nga Rozhaja e Malit të Zi dhe “Udhët e mërgimit”, e autores Trandafile Molla (Baja), nga Novara e Italisë.
Në festivalin e dhjetë ku poezia erdhi për t’u takuar dhe jo për të garuar, morën pjesë me krijimtarinë e tyre poetike disa dhjetëra autorë si: Basir Bushkashi, Adivije Hoxha, Farida Ramadani, Agim Bajrami, Shpend Topollaj, Fatbardha Kaçi, Emi Krosi, Mevlud Buci, Xheladin Mjeku, Qamil Hoxha, Miranda Troci (Derti), Rabije Bytyçi, Mimoza Marjanaku, Sunaj Raimi, Liljana Ceni, Emrah Bilalli, Ali Daci, Kozma Billa, Sevdail Demiri, Valentina Kurti, Vilma Nika, Luftar Pepmarku, Trandafile Molla (Baja), Safet Syla, Ruzhdi Begaj, Faik Xhani, Ramë Oraca, Elona Basha, Myrteza Mara, Rubjana Nika, Bajram Canameti, Selajdim Shabani, Hekuran Halili, Naim Aliaj, Lulzim Cuka, Imer Hysa dhe Bukurie Buçpapaj.
Klubi Letrar “Pjeter Budi” ndau edhe disa çmime letrare jubilare si:
-Çmimi letrar “Pjetër Budi” Mat iu dha Hekuran Halilit, kryetar i Klubit të Krijuesve Jonianë, Sarandë, për poezinë “Unë dhe Çamëria”, -Çmimi Letrar “Hamit Aliaj” iu dha Ali Dacit, kryetar i Manifestimit Tradicional Kulturor “Ora e Maleve”, Rozhajë, Mali i Zi, për poezinë “I njeh shqipja bijtë e vet”.
-Çmimi i Karrierës iu dha z. Behar Gjokës, për kontributin e tij të çmuar në studimet letrare, kritikën, gazetarinë, botimin dhe promovimin e kulturës shqiptare.
-Çmimi i Karrierës iu dha znj. Flora Brovina, për veprimtarinë e saj të gjatë në letërsi, gazetari, humanizëm dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të gruas.
-Titulli “Anëtar Nderi i Klubit letrar ‘Pjetër Budi’ Mat” iu Prof. Dr. Mujë Buçpapaj, Prof. Dr. Sunai Raimi dhe Namik Dokle, për kontributet e tyre të çmuara në letërsi, studime, publicistikë, botim dhe kulturën shqiptare.
Pas mbylljes së aktivitetit Klubi Letrar “Pjetër Budi”, në një nga restorantet e qytetit, shtroi një drekë në nderim të pranishmëve, ku veç shijeve të ushqimeve bio dhe gatimeve tradicionale matjane, nuk munguan as këngët, vallet dhe përshëndetjet.
Për të pranishmit kjo ishte një ditë mbresëlënëse dhe e pa harruar që do të ruhet gjatë në kujtesë.

