Gazetarja britaniko-amerikane dhe reporterja e CNN-it me përvojë të gjatë, Christiane Amanpour, shprehu zhgënjimin e saj për faktin se Serbia vazhdon të tregojë respekt ndaj kriminelit të luftës Ratko Mlladiç.
Amanpour, e cila raportoi nga terreni gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe ishte ndër të parat që paralajmëroi publikun ndërkombëtar për shkallën e krimeve, deklaroi se pas gjithçkaje që pa, shpresonte që Serbia të mos ndiqte rrugën e glorifikimit të kriminelëve të luftës.
“Pasi raportova për krimet monstruoze të Mlladiçit, guxoja të shpresoja se Serbia nuk do ta bënte këtë. Shpresoja që ëndrrat e të rinjve serbë të sotëm do të ishin për t’u bashkuar me Evropën, për anëtarësim në klubin për demokraci dhe të drejta të njeriut, ndoshta duke shtuar një element të shëndoshë, moralit dhe përmbajtjes”, shton ajo.
Amanpour thekson se tani ekziston një arsye për të bërë një pyetje shumë më serioze rreth asaj se çfarë lloj të ardhmeje dëshiron realisht Serbia.
“A duhet të arrijmë tani në përfundimin se kjo është ajo që Serbia dëshiron të jetë? Një komb që pajtohet me një kriminel lufte të dënuar, një vrasës masiv, fajtor për krimin më të shëmtuar – gjenocidin dhe që e respekton atë. Si mund ta lejojë sistemi, përfshirë kishën, këtë?” deklaroi ajo.
Ju kujtojmë se krimineli i luftës Ratko Mladić u varros sot në Beograd me nderime ushtarake, dhe në ceremoni morën pjesë disa ministra të Qeverisë së Serbisë. Funerali u krye nga patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, ndërsa midis të pranishmëve ishin shumë zyrtarë politikë nga Serbia dhe Republika Srpska.
Një trajtim i tillë i një krimineli lufte të dënuar ligjërisht shkaktoi dënime të shumta, veçanërisht për shkak të faktit se Mladiç u dënua me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.

