Ekspertët e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë në Universitetin e Prishtinës, krah për krah me ata të Institutit prestigjioz gjerman „Bernhard Nocht”, kanë ndërtuar një aleancë shkencore kundër rriqrave të llojit Hyalomma marginatum, bartëse të virusit vdekjeprurës që shkakton Ethet Hemorragjike Krime-Kongo.
Transmetuesi publik gjerman me shtrirje ndërkombëtare, „Deutche Welle” i ka dhënë hapësirë të madhe mediale bashkëpunimit të gjatë mes hulumtuesve të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë së UP-së dhe Institutit për Mjekësi Tropikale „Bernhard Nocht” në Hamburg të Gjermanisë.
“Këto dy institucione që më shumë se dhjetë vjet nëpërmjet ekipeve të drejtuara nga profesorët Kurtesh Sherifi dhe Petra Emmerich, studiojnë dhe monitorojnë viruse me rrezik të lartë për shëndetin e njeriut, të transmetuara nga vektorë artropodë, si rriqrat dhe mushkonjat”, njofton UP.
Edhe revista e njohur shkencore amerikane „Science” ka shkruar për përvojën që ka krijuar Kosova dhe ekspertët e UP-së në luftën kundër rriqrave që janë bartëse të virusit të rrezikshëm që shkakton Ethet Hemorragjike Krime-Kongo, një sëmundje potencialisht vdekjeprurëse, për të cilën aktualisht nuk ka vaksinë për njerëzit.
Këto rriqra të llojit Hyalomma marginatum, të njohura si „rriqrat gjuetare”, po përhapen gjithnjë e më në veri të Evropës, të favorizuara edhe nga ndryshimet klimatike.
„Gjermania ka laboratorë të sigurisë së lartë, ndërsa Kosova rriqrat Hyalomma marginatum dhe përvojë të gjatë të luftimit të virusit vdekjeprurës Orthonairovirus haemorrhagiae, i cili shkakton sëmundjen e etheve hemorragjike Krime-Kongo. Shkencëtarët gjermanë dhe kosovarë po luftojnë sëmundjen dhe vektorët e saj”, thuhet në artikullin e „Deutche Welles”, derisa revista shkencore amerikane „Science” konstaton se shteti më i ri evropian është më i përgatituri për ta zbuluar dhe luftuar këtë virus me rrezikshmëri të lartë në njerëz.
“Por puna e ekspertëve kosovarë të Universitetit të Prishtinës dhe Institutit „Bernhard Nocht” nuk lidhet vetëm me gjurmimin dhe studimin e rriqrave që mund të shkaktojnë sëmundjen e rëndë, por edhe me parandalimin dhe fushatat e ndërgjegjësimit publik se si njerëzit t’u shmangen kontakteve me „rriqrat gjuetare”, duke identifikuar fillimisht „zonat e nxehta” dhe pastaj duke i njoftuar fermerët dhe personat e rrezikuar nga njërrezik potencial. Këto fushata kanë ndihmuar që numri i njerëzve të prekur nga ky virus në Kosovë të bie ndjeshëm. Profesor Kurtesh Sherifi bashkë me kolegët tjerë nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë i Universitetit të Prishtinës dhe komponentën mjekësore të ushtrisë amerikane është i përfshirë edhe në një projekt tjetër të mbrojtjes së kampit ushtarak Bondsteel dhe zonës përreth nga rriqrat, por edhe krijesat tjera që mund të bartin virusë, baktere e parazitë të rrezikshëm”, njofton UP.

