Tuesday, September 8, 2026
HomeLajmeKosovëApeli i liron nga akuzat ish-kryetarin e Malishevës dhe tre të tjerë

Apeli i liron nga akuzat ish-kryetarin e Malishevës dhe tre të tjerë

Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ka liruar nga akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar ish-kryetarin e Malishevës, Ragip Begaj, ish-ministrin Bajram Hasani, si dhe Bashkim Krasniqin e Malë Krasniqin.

Vendimi i Apelit vjen pas ankesave të mbrojtjes ndaj aktgjykimit të Themelores, e cila më 11 korrik 2024 i kishte shpallur fajtorë katër të akuzuarit për rastin që lidhet me Zonën Ekonomike të Malishevës.

Begaj dhe Hasani ishin dënuar me nga 2 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa Bashkim dhe Malë Krasniqi me nga 2 vjet burgim.

Sipas Apelit, pas shqyrtimit të aktgjykimit, pretendimeve të palëve dhe provave të administruara, është konstatuar se gjendja faktike për këta katër të akuzuar ishte vërtetuar gabimisht dhe se nuk ishte provuar se ata e kishin kryer veprën penale për të cilën ishin shpallur fajtorë.

Në të njëjtin rast, Apeli ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale kundër pjesës liruese të aktgjykimit për Faton Thaqin, Malë Krasniqin, Nazmi Kafexhollin dhe Ahmet Rrahmanajn. Për ta, vendimi lirues i Gjykatës Themelore është lënë në fuqi.

Ndërkohë, procedura penale ndaj të akuzuarit Hajdin Berisha është pushuar për shkak të vdekjes së tij gjatë zhvillimit të procedurës.

Rasti ishte iniciuar nga Prokuroria Speciale, e cila më 1 korrik 2021 kishte ngritur aktakuzë ndaj tetë personave. Të akuzuarit ngarkoheshin me vepra të ndryshme penale, përfshirë keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, shpëlarjen e parave dhe mashtrimin.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshoheshin se, përmes keqpërdorimit të pozitave zyrtare, kishin ndikuar në krijimin e Zonës Ekonomike në Malishevë, në zonat kadastrale të Banjës, Bellanicës dhe Senikut.

Prokuroria pretendonte se krijimi i kësaj zone ishte bërë me qëllim të shpronësimit të tokave të cilat ishin blerë paraprakisht me çmime më të ulëta dhe më pas të kompensoheshin me vlera dukshëm më të larta.

Me vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit, katër prej të akuzuarve që ishin dënuar nga shkalla e parë tashmë janë liruar nga akuzat.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram