Punimet dhe hulumtimet arkeologjike po vazhdojnë në lokalitetin e Ulpianës, në afërsi të Prishtinës, ku fokusi aktual është te zbulimi, hulumtimi dhe dokumentimi i pagëzimores së kompleksit katedral të Justiniana Secundas.
Kështu ka bërë të ditur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka vizituar lokalitetin së bashku me arkeologët Milot Berisha dhe profesorin Christophe Goddard.
Kurti ka theksuar se Ulpiana ka ofruar dëshmi të rëndësishme për historinë e Dardanisë, përfshirë mbishkrimin monumental të Perandorit Justinian për Dardaninë dhe Justiniana Secundan.
Sipas tij, përfundimi i shpronësimit të pronave përreth lokalitetit dhe kalimi i tyre në pronësi të shtetit ka zgjeruar hapësirën për hulumtime dhe gërmime arkeologjike.
Ai ka thënë se kjo krijon mundësi për zbulimin e dëshmive të reja për organizimin monumental, zhvillimin e hershëm kishtar dhe transformimin urban të Justiniana Secundas gjatë Antikitetit të Vonë.

