Tuesday, September 8, 2026
HomeKulturëPiluri, ballkoni panoramik i bregdetit, kryeqendra e polifonisë me 11 shtator starton...

Piluri, ballkoni panoramik i bregdetit, kryeqendra e polifonisë me 11 shtator starton festivalin “Netët e Bejkës së Bardhë”

Gati për dy netë të paharrueshme nën magjinë e këngës Vëndçe dhe polifonisë labe. Në datat 11 dhe 12 Shtator 2026, ora 18:00, Piluri mirëpret edicionin e 7-të të festivalit mbarëkombëtar “Netët e Bejkës së Bardhë”! Gjate dy neteve te tradites sone te bukur dhjetëra grupe nga Vlora, Mallakastra, Tepelena, Saranda, Himara e deri nga diaspora (Zvicra) do të ndezin skenën me shpirtin e këngës shqiptare. Aktiviteti zhvillohet ne fshatin piktoresk Pilur i cili do të mirëpresë edicionin e 7-të të Festivalit Kombëtar të Këngës Vëndçe, “Netët e Bejkës së Bardhë”. Ky aktivitet, i cili tashmë është kthyer në një traditë të çmuar të trashëgimisë kulturore shpirtërore, mbledh këtë vit artistë dhe grupe polifonike nga mbarë vendi dhe diaspora.Ky është një tempull ku ruhet i gjallë shpirti i gjyshërve tanë, ku polifonia labe, kostumet tona të qëndisura me histori dhe logatjet e lashta gjejnë zërin e tyre më të pastër.

Nën drejtimin e organizatorit dhe Drejtorit të Festivalit, Kristo Çipa (“Mjeshtër i Madh”), programi dy-ditor do të ofrojë një ballafaqim të jashtëzakonshëm vlerash. Gjatë të dyja netëve, publiku dhe mediat do të ndjekin nga afër parakalimin e kostumeve tradicionale, performancat e instrumentistëve të fyellit, elegjitë e logatjet, si dhe konkurrimin e ethshëm të mbi 15 grupeve të njohura. Këto dy netë, Piluri do të kumbojë nga zëri i Vlorës, Mallakastrës, Tepelenës, Sarandës, Himarës dhe mbarë Labërisë. Jemi krenarë që këtë vit na bashkohen edhe vëllezërit tanë nga Zvicra, duke dëshmuar se kjo këngë nuk njeh kufij e nuk vdes kurrë.

Festivali do të nderohet gjithashtu me pjesëmarrjen e aktores së njohur Rajmonda Aleksi dhe Ansamblit të valleve “Krahu i Shqiponjës”. Çdo natë do të përmbyllet me një darkë festive dhe vallëzim të lirë. Në natën e dytë, më 12 shtator, juria do të ndajë edhe çmimet kryesore për interpretuesit më të mirë.Pas përfundimit të programit zyrtar të festivalit Netët e Bejkës së Bardhë”, atmosfera në Pilur do të vijojë nën qiellin e hapur!

Na pret një natë e gjatë me muzikë të veçantë, valle dhe argëtim deri në orët e pasmesnatës. Duke qenë se mbrëmjet në lartësitë e Pilurit bëhen tejet të freskëta, ju rekomandojmë të gjithëve të merrni me vete veshje më të trashë që të shijoni festën komod!


/Kosovatimes

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram