Wednesday, September 9, 2026
HomeLajmeKosovëLDK: E paprecedentë mosmbështetja e propozimeve

LDK: E paprecedentë mosmbështetja e propozimeve

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është shtyrë sërish, pasi partitë politike nuk arritën marrëveshje për mënyrën e votimit të nënkryetarëve të Kuvendit.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, e ka cilësuar të paprecedentë situatën e krijuar, duke kritikuar Vetëvendosjen për mungesën e mbështetjes ndaj kandidatëve të propozuar nga partitë e tjera.

“Kjo është situatë e paprecedentë ku nuk vazhdohet konstituimi në mungesë të përkrahjes nga VV-ja për propozimet që i kanë bërë partitë tjera për nënkryetar”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu.

Ajo tha se LDK-ja ka propozuar Kujtim Shalën për këtë pozitë, duke vlerësuar se përvoja e tij do t’i shërbente Kuvendit.

“Ne kemi për obligim që t’i japim propozimet tona më të mira. E propozuam Shalën sepse mendojmë se përvoja e tij i jep nder Kuvendit të Kosovës”, tha ajo.

Lushaku-Sadriu ka shprehur indinjatën e LDK-së për situatën e krijuar, duke theksuar se Kuvendi tashmë ndodhet jashtë afateve kushtetuese.

Hoti: LVV po ikën nga përgjegjësia dhe problemet që ka krijuar

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për vonesat në procesin e konstituimit të Kuvendit, duke thënë se një situatë e tillë, sipas tij, është përsëritur edhe në të kaluarën.

Hoti tha se nuk pret ndonjë zhvillim tjetër nga Vetëvendosje, duke e cilësuar vonesën si të pritshme.

Ai theksoi se Kujtim Shala është kandidat i LDK-së për nënkryetar të Kuvendit dhe se kjo pozitë, sipas tij, i takon opozitës në bazë të Kushtetutës.

Sa i përket propozimeve për nënkryetarë nga subjektet e tjera politike, Hoti tha se mbështetja e tyre është çështje e diskrecionit të partive përkatëse.

Duke folur për deklaratën e deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiq, Hoti tha se çështja duhet të sqarohet nga zyra ligjore dhe kryetarja e Kuvendit.

Ndërkaq, ai ka akuzuar Vetëvendosjen se po tenton të shmangë përgjegjësinë për problemet që, sipas tij, janë krijuar gjatë qeverisjes së saj, përfshirë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, si dhe raportet me partnerët ndërkombëtarë.

“Kryesorja që është, për mendimin tim, është ikja nga përgjegjësia dhe problemet që i kanë lënë me marrëveshjen e Brukselit, me aneksin e Ohrit, me problemet që i kanë bërë në arenën ndërkombëtare”, deklaroi Hoti.

Ai shtoi se, përveç problemeve në arenën ndërkombëtare, vendi po përballet edhe me probleme të brendshme, për të cilat, sipas tij, Vetëvendosje po përpiqet t’i shmanget përgjegjësisë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram