Luka Misetic, avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka publikuar në platformën “X” përgjigjen e avokatit Menegon lidhur me rastin ndaj Thaçit.
Sipas tij, çështja bazohet në një bisedë që Thaçi ka zhvilluar në Qendrën e Paraburgimit.
“Ky rast në thelb përmblidhet në një të vërtetë: zoti Thaçi po gjykohet për një bisedë në Qendrën e Paraburgimit”, thuhet në përgjigje.
Mbrojtja thekson se nuk ka pretendime për ryshfet, detyrim apo kërcënim ndaj dëshmitarëve, si dhe se nuk ka prova për ndërhyrje reale te dëshmitarët.
“Nuk ka asnjë viktimë në këtë rast”, thuhet më tej, ndërsa prokuroria akuzohet se po kërkon që Thaçi të dënohet me gjashtë vjet burg për biseda të zhvilluara në Qendrën e Paraburgimit, të cilat, sipas mbrojtjes, nuk kanë pasur asnjë ndikim real në botën e jashtme.

